FMN, kundër uljes së TVSH për ushqimet dhe heqjes së taksës së qarkullimit, pro rritjes pragut TVSH

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi më 20 nëntor deklaratën përmbyllëse të misionit për Shqipërinë.
Në vlerësimin për paketën fiskale të vitit 2027, stafi i FMN-së mbështet uljen e pragut të regjistrimit për TVSH-në, rritjen e tatimit mbi dividendin për ta njësuar me tatimet e tjera dhe kufizimin e trajtimit preferencial të TVSH-së për akomodimin.
Fondi i vlerëson këto masa si hapa drejt zgjerimit të bazës tatimore dhe kërkon që ato të shoqërohen me masa më të forta kundër informalitetit.
FMN kundërshton uljen e përhershme të TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqjen e taksës së qarkullimit mbi karburantet.
Sipas Fondit, të dyja masat kanë kosto për buxhetin, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe u sjellin përfitime edhe familjeve që nuk kanë nevojë për mbështetje. Për familjet në nevojë, FMN rekomandon ndihmë sociale të synuar. Me ekonominë që operon mbi potencial dhe inflacionin ende mbi objektiv, Fondi kërkon gjithashtu një politikë fiskale më pak ekspansioniste në vitin 2027.
Goditjet nga jashtë dhe tensionet sociale rëndojnë mbi rritjen
FMN parashikon që rritja ekonomike të ngadalësohet në 3.5% në vitin 2026, nga 3.7% në vitin 2025, dhe t’i afrohet ritmit prej 3.2% nga viti 2027.
Çmimet më të larta të ushqimeve dhe energjisë e çuan inflacionin në 3.4% në tetor. Fondi paralajmëron se përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike dhe shtrëngimi i kushteve financiare globale mund të godasin turizmin dhe investimet.
Brenda vendit, tensionet e zgjatura sociale mund të dobësojnë besimin dhe të vonojnë reformat. Në afat të mesëm, plakja e popullsisë dhe emigracioni kufizojnë ofertën e punës dhe potencialin e rritjes.
FMN kërkon rritje të normës bazë dhe më shumë fleksibilitet të kursit
Fondi rekomandon që Banka e Shqipërisë të tërheqë gradualisht stimulin monetar përmes rritjes së normës bazë të interesit, me synim rikthimin e inflacionit bazë në objektivin 3% deri në fund të vitit 2027.
FMN e lidh forcimin e lekut me të ardhurat nga turizmi dhe flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte. Sipas saj, kursi i këmbimit duhet të vijojë të përthithë goditjet nga jashtë, ndërsa ndërhyrjet në tregun valutor duhen rezervuar për rastet kur likuiditeti është i ulët.
Fondi kërkon ruajtjen e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe tërheqjen graduale të saj nga linja e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Reformat përpara anëtarësimit në BE
FMN i jep përparësi forcimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit. Fondi kërkon mbrojtjen e pavarësisë operacionale të SPAK-ut, uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata, modernizimin e kadastrës dhe forcimin e të drejtave të pronësisë.
Për projektligjin e investimeve, ai rekomandon kritere transparente dhe objektive për të kufizuar trajtimin preferencial të investitorëve apo projekteve të përzgjedhura.
Përshtatja e arsimit dhe formimit profesional me nevojat e bizneseve, ulja e informalitetit dhe lehtësimi i financimit për sipërmarrjet e reja e inovative janë ndër masat që Fondi veçon për të rritur produktivitetin dhe për të përgatitur ekonominë për konkurrencën në tregun europian.
NJOFTIMI I PLOTE I FMN
Shqipëria ka ruajtur një performancë të fortë makroekonomike, pavarësisht goditjeve të jashtme të përsëritura. Rritja ekonomike solide, rënia e borxhit publik, inflacioni i përmbajtur dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm i kanë fuqizuar hapësirat amortizuese makroekonomike. Megjithatë, pasiguria e lartë në mjedisin e jashtëm dhe tensionet sociale në vend rëndojnë mbi perspektivën ekonomike, ndërsa dobësitë strukturore afatgjata, të rënduara më tej nga plakja e popullsisë dhe emigracioni, kufizojnë rritjen ekonomike në periudhën afatmesme. Procesi i anëtarësimit në BE shërben si një bazë e fuqishme për çuarjen përpara të reformave që synojnë adresimin e këtyre sfidave strukturore. Prioritetet e politikave janë: ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar nëpërmjet një politike monetare të kalibruar me kujdes dhe fuqizimit të kuadrit makroprudencial, në përputhje me rekomandimet e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) në zhvillim e sipër; ruajtja e hapësirave fiskale, duke përmbushur njëkohësisht nevojat në rritje për shpenzime nëpërmjet mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, rritjes së eficiencës të shpenzimeve dhe forcimit të menaxhimit të rreziqeve fiskale; si dhe përshpejtimi i reformave strukturore në fushën e qeverisjes, të shoqëruara me reforma në tregun e punës, kapitalin njerëzor dhe mjedisin e biznesit.
Zhvillimet e fundit ekonomike dhe perspektiva
Ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë një ecuri të fortë, duke dëshmuar qëndrueshmëri përballë goditjeve të jashtme të njëpasnjëshme. Rritja ekonomike arriti në
3,7 për qind në vitin 2025 dhe ruajti të njëjtin ritëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, e mbështetur nga konsumi i fortë privat dhe shërbimet e turizmit, në kushtet e rritjes së shpejtë të kreditimit dhe çmimeve të pronave. Kushtet në tregun e punës mbeten të shtrënguara, me shkallë papunësie në nivele të ulëta historike dhe me rritje të fortë të pagave. Inflacioni është rritur nga 2,5 për qind përpara fillimit të luftës në Lindjen e Mesme në 3,4 për qind në tetor 2026, duke reflektuar çmime më të larta të ushqimeve dhe energjisë. Borxhi publik ka rënë në 51 për qind, ndërsa pozicioni i jashtëm është fuqizuar me mbështetjen e të ardhurave të larta nga turizmi dhe të flukseve hyrëse nga investimet e huaja direkte. Në të njëjtën kohë, tensionet sociale të kohëve të fundit kanë shtuar pasigurinë e brendshme. Në fund të tetorit, autoritetet shpallën një paketë fiskale me ndikim neutral mbi buxhet, e cila do të hyjë në fuqi në vitin 2027.
Rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar. Shkalla e rritjes parashikohet të jetë 3,5 për qind në vitin 2026, në kushtet e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Konsumi privat dhe investimet pritet të vijojnë të mbështesin aktivitetin ekonomik. Nga viti 2027 e në vijim, rritja ekonomike parashikohet të shkojë drejt potencialit të saj afatmesëm prej rreth 3,2 për qind, krahasuar me një rritje mesatare vjetore prej 4 për qind gjatë periudhës 2022–2025. Rritja afatmesme pritet të bazohet te akumulimi i kapitalit dhe te përfitimet nga produktiviteti, por ka pak gjasa që këto të kompensojnë plotësisht frenimin nga rënia e ofertës së fuqisë punëtore për shkak të plakjes së popullsisë dhe vijimit të emigrimit. Deficiti i llogarisë korente parashikohet të zgjerohet në 2,1 për qind të PBB-së në 2026, duke reflektuar kostot më të larta të importit të energjisë, dhe të rritet në rreth 3 për qind të PBB-së në periudhën afatmesme, ndërsa rritja e investimeve të brendshme dhe vijimi i konvergjencës së të ardhurave mbështesin kërkesën për importe.
Inflacioni në fund të vitit parashikohet të jetë 3,4 për qind në 2026 dhe 2,7 për qind në
2027, ku parashikimi për vitin 2027 është më i ulët se norma e inflacionit që do të rezultonte në mungesë të efekteve nga ndryshimi i tatimit mbi vlerën e shtuar dhe të taksës së qarkullimit në karburant. Rritja e çmimeve energjetike botërore pritet të vijojë të ndikojë përmes kostove të transportit dhe kostove të tjera të prodhimit, ndërsa kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe rritja e fortë e pagave do të vijojnë të ushtrojnë presione mbi kostot e brendshme. Ngadalësimi i inflacionit të shërbimeve dhe të qirave, si dhe efekti i përllogaritur, me natyrë të njëhershme, prej minus 0,3 pikë përqindjeje i paketës fiskale në inflacionin e çmimeve të konsumit, pritet t’i kundërbalancojnë këto forca. Inflacioni parashikohet të arrijë objektivin prej 3 për qind deri në fund të vitit 2027, ndërsa presionet e jashtme mbi kostot zbuten dhe politika monetare shtrëngohet gradualisht drejt një qëndrimi neutral.
Balanca e rreziqeve është e orientuar në kahun e poshtëm, duke reflektuar kryesisht pasiguritë në mjedisin e jashtëm dhe tensionet sociale në vend. Dobësimi i mjedisit të jashtëm, shtrëngimi i kushteve financiare globale dhe tensionet e shtuara gjeopolitike mund të rëndojnë mbi turizmin, investimet dhe rritjen ekonomike, me pasoja potencialisht të pafavorshme për sektorin financiar përmes një korrigjimi të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe dobësimit të aftësisë paguese të huamarrësve. Zgjatja e trazirave sociale mund të dobësojë gjithashtu besimin, turizmin dhe investimet, si dhe të vonojë zbatimin e agjendës së reformave. Në kahun pozitiv, një zbutje më e shpejtë nga sa pritej e tensioneve gjeopolitike mund të forcojë kërkesën e jashtme. Goditjet e vazhdueshme të kostove të jashtme, në veçanti rritja e mëtejshme e çmimeve globale të ushqimeve dhe energjisë, si dhe ndërveprimi i tyre me presionet e brendshme nga pagat, mund ta mbajnë inflacionin më të lartë për një periudhë më të gjatë. Në të kundërt, kërkesa e brendshme më e dobët, normalizimi më i shpejtë i çmimit të qirave ose një mbiçmim i mëtejshëm i kursit të këmbimit mund ta kthejnë inflacionin më shpejt në objektiv. Perspektiva e inflacionit për vitin 2027 është gjithashtu subjekt i pasigurisë lidhur me shkallën e përcjelljes së ndryshimeve të njoftuara tatimore në çmimet e konsumit.
Politika fiskale
Një politikë fiskale më pak ekspansioniste është e nevojshme në vitin 2027. Suficiti primar parashikohet të mbetet në rreth 0,3 për qind të PBB-së në vitin 2026, përgjithësisht i pandryshuar nga viti 2025, dhe të bjerë në zero në vitin 2027. Qëndrimi fiskal u bë ekspansionist në vitin 2025 dhe pritet të mbetet lehtësisht i tillë deri në vitin 2027. Duke pasur parasysh se ekonomia po operon mbi potencialin e saj dhe inflacioni mbetet mbi objektiv, stafi i FMN-së rekomandon që buxheti i vitit 2027 të përfshijë masa me efekt fiskal prej 0,3 për qind të PBB- së, krahasuar me politikat aktuale. Duhet të shmanget përdorimi i përsëritur i akteve normative1 për të rialokuar të ardhurat mbi parashikimin ose fondet nga mosrealizimi i shpenzimeve kapitale drejt shpenzimeve korrente të një natyre ad hoc, pasi kjo dobëson besueshmërinë e buxhetit dhe mund të përforcojë karakterin prociklik të politikës fiskale.
Paketa fiskale përmban hapa të mirëpritur për zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e trajtimeve preferenciale, por disa masa janë të patargetuara. Ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në, përafrimi i tatimit mbi dividendin me tatimet e tjera dhe reduktimi i trajtimit preferencial për shërbimet e akomodimit janë hapa të mirëpritur drejt një sistemi tatimor me bazë më të gjerë dhe më neutral. Këto masa duhet të mbështeten nga forcimi i kapaciteteve zbatuese për të luftuar informalitetin. Megjithatë, ulja e përhershme e normës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit janë të kushtueshme nga pikëpamja fiskale, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe i sjellin përfitim edhe segmenteve të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje. Mbështetja për familjet në nevojë do të ofrohej më mirë nëpërmjet ndihmës sociale të targetuar. Ndonëse paketa pritet të jetë përgjithësisht neutrale për buxhetin, vlerësimet si të të ardhurave shtesë, ashtu edhe të kostove fiskale, janë subjekt i pasigurisë.
Presionet në rritje mbi shpenzimet në periudhën afatmesme duhet të adresohen nëpërmjet mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave dhe përmirësimit të eficiencës së shpenzimeve. Përmbushja e nevojave të Shqipërisë për zhvillim do të kërkojë rritjen e shpenzimeve për shëndetësinë, arsimin dhe pensionet, ndërsa nevojat në zhvillim të sigurisë mund të shtojnë shpenzimet për mbrojtjen. Stafi i FMN-së vlerëson se presionet shtesë mund të arrijnë në 3 për qind të PBB-së deri në vitin 2031. Adresimi i këtyre presioneve do të kërkonte masa fiskale kumulative prej 3,7 për qind të PBB-së gjatë periudhës 2026–2031. Në anën e shpenzimeve, forcimi i përzgjedhjes dhe zbatimit të projekteve, si dhe i menaxhimit të investimeve publike, mund të krijojë hapësirë fiskale nëpërmjet rritjes së eficiencës dhe të ndihmojë në përmbushjen e nevojave për investime pa zgjeruar nivelin e përgjithshëm të investimeve. Në anën e të ardhurave, autoritetet duhet të përfundojnë zbatimin e Strategjisë ekzistuese Afatmesme të të Ardhurave dhe të përgatisin një strategji pasuese, të përqendruar në zgjerimin e bazës tatimore, racionalizimin e mëtejshëm të shpenzimeve tatimore dhe forcimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore.
Historiku pozitiv i Shqipërisë në respektimin e një kuadri fiskal transparent i ka shërbyer mirë vendit dhe rekomandohet të vijojë si bazë për politikën buxhetore. Kuadri i rregullave fiskale, përfshirë angazhimin për të ulur borxhin publik drejt 45 për qind të PBB-së, ka mbështetur besueshmërinë fiskale, duke kontribuar në ngushtimin e diferencave të yield-eve të borxhit sovran dhe në krijimin e hapësirave mbrojtëse për politikat ekonomike. Ngritja e Këshillit
Fiskal është një hap i mirëpritur për rritjen e mëtejshme të besueshmërisë fiskale. Këshillit duhet t’i sigurohen kapacitetet e nevojshme për të ofruar vlerësime të pavarura të rreziqeve fiskale dhe të respektimit të rregullave fiskale, si dhe për të vlerësuar çdo ndryshim në kuadrin e përgjithshëm. Stafi i FMN-së mbetet i gatshëm të mbështesë autoritetet shqiptare në çdo përpjekje për forcimin e mëtejshëm të kuadrit të tyre fiskal.
Kufizimi i rreziqeve që burojnë nga zgjerimi i rolit të shtetit në ekonomi dhe një qasje e qëndrueshme ndaj pensioneve janë gjithashtu të rëndësishme. Vlerësimi i rreziqeve fiskale duhet të integrohet më ngushtë në planifikimin buxhetor dhe në hartimin e politikave. Krijimi i ndërmarrjeve shtetërore sjell rreziqe fiskale shtesë dhe mund të kufizojë aktivitetin e sektorit privat. Ndërmarrjet e reja ose të zgjeruara shtetërore duhet të synojnë adresimin e dështimeve të tregut të identifikuara qartë dhe të mbështeten nga një qeverisje e fortë, financim transparent, mbikëqyrje efektive nga Ministria e Financave dhe raportim gjithëpërfshirës i ekspozimeve fiskale, përfshirë ato që burojnë nga ndërmarrjet shtetërore, partneritetet publike-private dhe garancitë qeveritare. Masat për përmirësimin e përballueshmërisë së strehimit duhet të përqendrohen te familjet me nevojat më të mëdha, përfshirë për të shmangur presione të mëtejshme mbi çmimet e banesave, dhe duhet të hartohen në mënyrë që të kufizojnë kostot fiskale dhe detyrimet e kushtëzuara. Një taksë moderne mbi pronën, e bazuar në vlerën e tregut, mund të nxisë gjithashtu përdorimin eficient të pronave të pabanuara ose të pashfrytëzuara plotësisht. Mjaftueshmëria e pensioneve duhet të përmirësohet brenda një kuadri të bazuar në rregulla, i cili ruan natyrën kontributive të sistemit, nxitjen për punësim dhe formalizim, si dhe qëndrueshmërinë fiskale, në vend të përdorimit të bonuseve të posaçme ad hoc. Lidhja e moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë do të mbështeste më tej qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit të pensioneve.
Politika monetare
Shtrëngimi i qëndrimit të politikës monetare drejt një niveli neutral është i nevojshëm, duke pasur parasysh pozicionin ciklik të ekonomisë dhe presionet e mbetura të brendshme inflacioniste. Ndërkohë që aktiviteti ekonomik është mbi potencial dhe inflacioni mbi objektiv, kthimi i parashikuar i inflacionit në objektiv brenda fundit të vitit 2027 mbështetet në tërheqjen graduale të lehtësimit monetar të mbetur. Kjo do të kërkojë rritjen e normës bazë të interesit. Politika monetare duhet të mos reagojë ndaj ndikimit të njëhershëm të ndryshimeve tatimore në nivelin e çmimeve, ndërsa komunikimi duhet të dallojë qartë këto efekte të përkohshme nga presionet bazë inflacioniste.
Fleksibiliteti i kursit të këmbimit duhet të mbetet mekanizmi kryesor për përthithjen e goditjeve. Mbiçmimi i lekut është mbështetur nga faktorët fondamentalë ekonomikë, përfshirë të ardhurat e larta nga turizmi dhe flukset e qëndrueshme hyrëse të investimeve të huaja direkte. Lejimi i një fleksibiliteti më të lartë të kursit të këmbimit do të ndihmonte në përshtatjen me faktorët e jashtëm dhe do të plotësonte efektet e normalizimit të politikës monetare. Ndërhyrjet në tregun valutor duhet të rezervohen për adresimin e kushteve të një tregu me likuiditet të kufizuar. Duke qenë se niveli i rezervave valutore është tashmë adekuat, akumulimi i mëtejshëm i tyre duhet të peshohet me kujdes kundrejt kostove oportune dhe rreziqeve të rivlerësimit.
Ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë mbetet thelbësore. Ajo mbështet besueshmërinë e politikës monetare dhe aftësinë e Bankës së Shqipërisë për të siguruar stabilitetin e çmimeve. Në këtë kuadër, stafi i FMN-së i mirëpret dispozitat e ligjit të ri për bankën qendrore, të cilat forcojnë autonominë institucionale dhe mbrojnë vendimmarrjen e saj. Në përputhje me këto objektiva, roli i Bankës së Shqipërisë në Linjën e Kredisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme duhet të ndërpritet gradualisht. Vënia e planifikuar në funksionim të sistemit TIPS Clone përbën gjithashtu një hap të mirëpritur modernizimi, duke mbështetur pagesa më të shpejta dhe me kosto më të ulët, si dhe integrim më të ngushtë evropian.
Sektori financiar
Rreziqet sistemike në sistemin bankar duken të përmbajtura, por dobësitë strukturore dhe ciklike mbeten të pranishme. Bankat janë të mirëkapitalizuara në raport me kërkesat minimale, kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe janë fitimprurëse, ndërsa raporti i kredive me probleme ra në nivelin më të ulët historik prej 3.7 për qind në mes të vitit 2026. Megjithatë, rritja e shpejtë e kreditimit për familjet dhe bizneset, si dhe rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme, së bashku me nivelin e lartë të euroizimit dhe ekspozimet e konsiderueshme ndaj borxhit sovran, kërkojnë monitorim të kujdesshëm. Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), që është në zhvillim, vë në dukje dobësi specifike që kërkojnë mbikëqyrje të fortë dhe masa korrigjuese në kohën e duhur, sipas nevojës.
Kuadri makroprudencial është fuqizuar ndjeshëm, por nevojitet më shumë veprim për të përmbajtur rritjen e dobësive. Rritja e fundit e shtesës kundërciklike të kapitalit dhe vendosja e masave me bazë huamarrësit për kreditë për blerje banesash janë hapa të mirëpritur. Gjithashtu, krijimi i bazës rregullatore për një shtesë sektoriale të kapitalit për rrezikun sistemik dhe një shtesë kundërciklike pozitive neutrale të kapitalit ofron instrumente që mund të përdoren krahas masave ekzistuese për huamarrësit, për të frenuar rreziqet e lidhura me sektorin e pasurive të paluajtshme dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e përgjithshme. Masat për adresimin e rreziqeve nga kreditimi në valutë dhe përmirësimi i mbledhjes së të dhënave për pasuritë e paluajtshme do të ndihmonin gjithashtu në forcimin e qëndrueshmërisë. Autoritetet duhet të vijojnë fuqizimin e gatishmërisë për menaxhimin e krizave dhe të kuadrit të sistemit të mbrojtjes financiare.
Fuqizimi i vazhdueshëm i kuadrit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit (AML/CFT) është i rëndësishëm për ruajtjen e integritetit financiar. Ndër prioritetet përfshihet zbatimi i Strategjisë Kombëtare 2024–2030 dhe trajtimi i rekomandimeve kryesore të vlerësimit të fundit të MONEYVAL. Ndikimi i nismës së Paqes Fiskale duhet gjithashtu të monitorohet nga afër, për të siguruar që nuk e dobëson efektivitetin e kuadrit AML/CFT. Me fillimin e veprimtarisë së Bankës Shqiptare të Zhvillimit, mandati i saj duhet të jetë në përputhje me qëndrueshmërinë financiare dhe fiskale dhe të mbështetet në mekanizma të fortë të qeverisjes dhe mbikëqyrjes, njëkohësisht duke shmangur kufizimin e ndërmjetësimit financiar privat dhe duke mbajtur nën kontroll rreziqet kontigjente fiskale.
Politika strukturore
Nevojiten reforma më të thella për maksimizimin e përfitimeve nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE siguron një bazë të fuqishme për reformat, si edhe mundësi të konsiderueshme për një shkallë më të lartë rritjeje, por do të sjellë gjithashtu presione më të forta konkurruese, standarde më të larta rregullatore dhe lëvizshmëri më të madhe të fuqisë punëtore, mes sfidave ekzistuese demografike dhe institucionale. Përshpejtimi i reformave cilësore në qeverisje dhe institucione do të ndihmonte në ngushtimin e mangësive më të mëdha strukturore të Shqipërisë dhe do të amplifikonte përfitimet nga reformat e tjera. Këto përpjekje duhet të plotësohen me masa për forcimin e tregut të punës dhe kapitalit njerëzor, si dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Fuqizimi i qeverisjes dhe institucioneve duhet të mbetet një prioritet i menjëhershëm dhe do të rriste përfitimet nga reformat e tjera. Progresi në fuqizimin e qeverisjes dhe shtetit të së drejtës është i mirëpritur, duke përfshirë përfundimin e procesit të vetingut në gjyqësor dhe vijimin e zvogëlimit të numrit të çështjeve të prapambetura në gjykatat e shkallës së parë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar pavarësinë operative dhe efektivitetin e SPAK-ut, të cilat duhet të plotësohen me progres të mëtejshëm në fuqizimin e institucioneve gjyqësore, uljen e numrit të çështjeve të prapambetura gjyqësore, modernizimin e kadastrës dhe fuqizimin e të drejtave të pronës. Projektligji për investimet ofron një kuadër të unifikuar për investimet, por duhet të vendosë kritere përfitimi transparente dhe objektive, për të kufizuar diskrecionin në vendimmarrje dhe trajtimin preferencial të investitorëve ose projekteve. Zbatimi efektiv do të jetë vendimtar për fuqizimin e sigurisë juridike, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe mbështetjen e investimeve private produktive.
Këto përpjekje duhet të plotësohen me reforma në tregun e punës, kapitalin njerëzor dhe mjedisin e biznesit, për të rritur produktivitetin dhe për të ulur ndikimin e tkurrjes së fuqisë punëtore. Politika më të mirëorientuara për aktivizimin në tregun e punës dhe përafrimi më i ngushtë i arsimit dhe formimit profesional me nevojat e sektorit privat do të ndihmonin në mobilizimin e fuqisë punëtore të pashfrytëzuar plotësisht dhe në adresimin e mospërputhjeve të aftësive. Vijimi i përpjekjeve për uljen e informalitetit, garantimin e kushteve të barabarta të lojës, eliminimin e shtrembërimeve që dekurajojnë rritjen e ndërmarrjeve, lehtësimin e aksesit në financim për ndërmarrjet e reja dhe inovative, si dhe uljen e kostove të tregtisë, do të mbështesë rritjen e ndërmarrjeve, rialokimin e burimeve dhe përmirësimin e produktivitetit, me një integrim më të thellë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









