Kryeministri i Letonisë kërkon mbylljen e kufijve të BE-së për të gjithë shtetasit rusë
Kryeministri i Letonisë, Andris Kulbergs, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të mbyllë kufijtë për të gjithë shtetasit rusë, duke paralajmëruar se Unioni nuk ka kapacitetet e nevojshme për të verifikuar qindra mijëra turistët rusë që ende lejon të hyjnë në territorin e tij.
“Lejimi i hyrjes së kaq shumë njerëzve në BE është aktualisht tepër i rrezikshëm. Nuk duhet t’i nënshtrohemi Rusisë dhe nuk duhet të tregojmë dobësi. Askush nuk mund të kryejë kontrolle për një numër kaq të madh njerëzish”, deklaroi Kulbergs në një intervistë për median gjermane WELT.
Ai përjashtoi gjithashtu mundësinë e rikthimit të marrëdhënieve normale me Moskën edhe në rast të arritjes së një armëpushimi në Ukrainë.
“Disa besojnë se pas një armëpushimi mund të rikthehen marrëdhëniet normale me Rusinë. Kjo nuk mund të ndodhë. Kemi hyrë në një epokë të re”, u shpreh ai, sipas POLITICO.
Letonia ishte mes 11 vendeve që në muajin qershor nënshkruan një letër, të udhëhequr nga Suedia, drejtuar Brukselit, ku kërkohej kufizimi i vizave për shtetasit rusë. Ndërkohë, në muajin tetor, komisioneri evropian për Migracionin, Magnus Brunner, tha për POLITICO se Komisioni Evropian mund të paraqesë një propozim për këtë çështje vitin e ardhshëm.
Kulbergs paralajmëroi gjithashtu se sulmet hibride të Rusisë në krahun lindor të NATO-s po intensifikohen.
“Situata po përshkallëzohet”, deklaroi ai, duke shtuar se forcat speciale të Letonisë dhe Estonisë kanë arrestuar tetë persona në territorin estonez fundjavën e kaluar. Sipas tij, këta persona kishin “udhëzime konkrete për të sulmuar një objekt prodhimi në Estoni, i cili mbështet Ukrainën”.
“Pas kësaj qëndron Rusia”, theksoi kryeministri letonez.
Ai i cilësoi muajt e ardhshëm si “dimri i së vërtetës”, duke argumentuar se Rusia po godet furnizimin me ujë, ngrohje dhe energji elektrike në Ukrainë, pasi nuk po arrin përparime të rëndësishme në vijën e frontit. Sipas tij, Moska po përpiqet njëkohësisht të ndikojë në opinionin publik në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.
“Putin dëshiron që gjermanët të kenë frikë dhe t’i kërkojnë qeverisë së tyre të ndalojë mbështetjen për Ukrainën”, u shpreh Kulbergs.
Kryeministri letonez i cilësoi si të ekzagjeruara shqetësimet se samiti i së enjtes mes Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, në Shenzhen, mund të shënojë një marrëveshje të re të ngjashme me atë të Jaltës. Sipas tij, në këtë takim presidenti rus është poshtëruar.
Samiti i Jaltës, i zhvilluar në shkurt të vitit 1945, ku presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt, kryeministri britanik Winston Churchill dhe lideri sovjetik Joseph Stalin përcaktuan rendin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, konsiderohet gjerësisht si një takim që la një pjesë të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore nën dominimin sovjetik.
Në përfundim, Kulbergs u bëri thirrje vendeve më të mëdha evropiane, veçanërisht Gjermanisë, që të mos dorëzohen përballë lodhjes nga lufta.
“Është plotësisht e mundur të jesh proevropian, të mbështesësh fuqishëm Ukrainën, të përballesh me agresorin dhe, pavarësisht kësaj, të fitosh zgjedhjet me një diferencë të madhe votash“, deklaroi ai.




