E premte, 20 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Drejtoria e Burgjeve: Operacioni për Veliajn nuk është urgjent, ndërhyrja është caktuar të hënën në Fier
Lajme

Drejtoria e Burgjeve: Operacioni për Veliajn nuk është urgjent, ndërhyrja është caktuar të hënën në Fier

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me gjendjen shëndetësore të Erion Veliajt, pas letrës publike që kryebashkiaku i Tiranës i drejtoi Belinda Ballukut, ku kërkonte mundësinë e kryerjes së operacionit në një spital në Tiranë.

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Burgjeve sqaron se, pas konsultave dhe ekzaminimeve mjekësore për dëmtimin në kavilien e majtë, mjekët specialistë kanë rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, por jo emergjente.

Sipas institucionit, operacioni është planifikuar të kryhet të hënën, më 23 nëntor, në Spitalin Memorial të Fierit. Një ditë më parë, Veliaj do të paraqitet në spital për analizat laboratorike dhe procedurat përgatitore.

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se kryebashkiaku është ekzaminuar nga specialistë të ortopedisë dhe se ndërhyrja është konsideruar e realizueshme në spitalin e Fierit.

Sa i përket kërkesës për përfshirjen e një mjeku të zgjedhur prej tij, institucioni pretendon se këtij specialisti i është krijuar mundësia të vizitonte Veliajn dhe të njihej me kartelën e tij mjekësore më 18 nëntor, por ai nuk është paraqitur.

Megjithatë, sipas njoftimit, mjeku mund të jetë i pranishëm gjatë procedurave përgatitore më 22 nëntor, gjatë operacionit më 23 nëntor, ose në të dyja ditët.

Drejtoria e Burgjeve ka sqaruar gjithashtu edhe kontrollin e zhvilluar në ambientet ku qëndron Veliaj në burgun e Fierit, duke e cilësuar atë si një procedurë rutinë sigurie, të planifikuar më herët dhe të shtrirë në disa sektorë të institucionit, përfshirë edhe atë shëndetësor.

Institucioni thekson se do të vijojë t’i garantojë Veliajt kujdesin e nevojshëm shëndetësor, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e tij.

 

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.