Bota

New York shtyn mbylljen e burgut famëkeq Rikers Island! 146 milionë dollarë për rehabilitimin e të burgosurve!

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka prezantuar një plan të ri për mbylljen përfundimtare të burgut famëkeq Rikers Island deri në vitin 2032, pesë vjet pas afatit fillestar të përcaktuar nga autoritetet e qytetit.

Në vitin 2017, ish-kryebashkiaku Bill de Blasio kishte premtuar se kompleksi i burgjeve do të mbyllej deri në gusht të vitit 2027. Megjithatë, afati po afrohet dhe vetëm disa prej qendrave të paraburgimit janë mbyllur, ndërsa ndërtimi i katër burgjeve të reja në Manhattan, Brooklyn, Queens dhe Bronx vijon ende.

Gjatë prezantimit të planit, Mamdani deklaroi se administrata e tij synon të përmbushë një premtim që, sipas tij, është shtyrë vazhdimisht nga qeveritë e mëparshme.

“Kërkesa për të mbyllur Rikers ka jehonuar në qytetin tonë për dekada. Janë bërë përpjekje për ta arritur këtë, pastaj janë ndaluar, përpara se të fillojnë përsëri. Ajo që do ta bëjë këtë përpjekje të ndryshme është vendosmëria jonë për ta përfunduar atë, për të hartuar një rrugë të re dhe të qëndrueshme në fushën e sigurisë publike dhe për të mbajtur premtimet tona”, u shpreh ai.

Sipas planit, burgu i parë i ri që do të zëvendësojë një pjesë të kompleksit Rikers pritet të hapet në Brooklyn në vitin 2029.

Bashkia ka parashikuar gjithashtu një investim prej 146 milionë dollarësh gjatë vitit të ardhshëm fiskal për shërbimet e shëndetit mendor, rehabilitimin nga varësia ndaj drogës, edukimin dhe trajnimin profesional të të burgosurve, si dhe mbështetjen për viktimat.

Një tjetër objektiv është reduktimi i numrit të personave në paraburgim nga rreth 6,500 aktualisht në 4,000, përmes shkurtimit të kohës së paraburgimit dhe vonesave në proceset gjyqësore.

Rikers Island, i hapur në vitin 1932 në një ishull mes Queens dhe Bronx, është përballur prej vitesh me akuza për abuzime, dhunë dhe kushte të rënda për të burgosurit. Në vitin 2015, kompleksi u vu nën mbikëqyrje federale pas zbulimeve për abuzime sistematike dhe keqmenaxhim.

Problemet infrastrukturore, përfshirë qelitë me dyer dhe dritare të dëmtuara, temperaturat ekstreme, përmbytjet dhe mungesën e personelit, vazhdojnë të jenë shqetësim për autoritetet dhe organizatat mbikëqyrëse.

Pas mbylljes së burgut, bashkia planifikon ta transformojë ishullin në një zonë për trajtimin e ujërave të zeza dhe zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.