Rikthehet reality show më i ndjekur në Shqipëri. Përmes një promoje misterioze, produksioni ka paralajmëruar nisjen e edicionit të gjashtë, ndërsa kurioziteti për emrat e banorëve të rinj është rritur.
“Big Brother VIP Albania” rikthehet në ekranin e Top Channel në muajin dhjetor. Edicioni i gjashtë i spektaklit të njohur televiziv është konfirmuar përmes një videoje promovuese të publikuar në faqen zyrtare të programit në Instagram.
Me një mesazh që ngjall kureshtje dhe premton surpriza, produksioni ka nisur numërimin drejt një tjetër sezoni të lojës që çdo vit mbërthen para ekranit mijëra shikues.
“Shumë kanë hyrë në atë derë. Asnjë nuk ka dalë i njëjtë. Disa humbasin. Të tjerë fitojnë gjithçka. E gjithë Shqipëria. Një lojë. Big Brother VIP nga dhjetori”, thuhet në spotin e publikuar.
Formati, i cili ka fituar një popullaritet të madh në Shqipëri, vendos përballë njëri-tjetrit personazhe të njohur nga fusha të ndryshme, të cilët bashkëjetojnë në një shtëpi të izoluar nga bota e jashtme. Strategjitë, përplasjet, miqësitë, emocionet dhe eliminimet janë pjesë e lojës që ndiqet çdo ditë nga publiku.
Ndërkohë, rikthimi i spektaklit ka rikthyer edhe aludimet për personazhet që mund të bëhen pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Emra të ndryshëm janë përfolur në rrjetet sociale, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për banorët e edicionit të ri.
Tashmë, mbetet për t’u parë se cilët personazhe do të kalojnë këtë vit derën e famshme të Big Brother VIP dhe kush do të arrijë të fitojë zemrat e publikut.

