“Do prishej ekuilibri në Ballkan”- Shqipëria në BE para Serbisë? Gazetari maqedonas: I gjithë rajoni duhet të anëtarësohet së bashku

Rajon

Publikuar: 20/11/2026

“Do prishej ekuilibri në Ballkan”- Shqipëria në BE para Serbisë? Gazetari maqedonas: I gjithë rajoni duhet të anëtarësohet së bashku

Perspektiva që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian përpara Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit duket se nuk shihet me entuziazëm në disa qarqe politike e intelektuale të rajonit.

Në një diskutim në emisionin “Në Qendër” (Vo Centar), gazetari nga Maqedonia e Veriut, Vasko Eftov, dhe akademiku serb Velimir Abramović, kanë hedhur pretendimin se ekzistojnë interesa gjeopolitike që synojnë të pengojnë integrimin e veçuar të Shqipërisë në BE.

Gjatë bisedës, Eftov iu referua deklaratave që, sipas tij, i ishin bërë nga diplomatë evropianë rreth një vit më parë, të cilët e konsideronin të pamundur anëtarësimin e Shqipërisë përpara Serbisë, për shkak të pasojave që kjo do të kishte mbi ekuilibrat rajonalë.

“Ka edhe diplomatë evropianë që thoshin para një viti se nuk ka shanse që Shqipëria të futet në BE, sepse do të prishej ekuilibri mes Shqipërisë dhe Serbisë në Ballkan”, u shpreh gazetari.

Diskutimi u zhvillua në kontekstin e një teorie më të gjerë të paraqitur nga Abramović, sipas së cilës vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shtyhen drejt krijimit të një strukture të përbashkët politike, të quajtur “Bashkimi Ballkanik”, përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova do të duhej të integroheshin fillimisht në këtë bashkim rajonal dhe vetëm më pas të hynin së bashku në BE.

“Prandaj Kroacia bllokoi Malin e Zi. Mali i Zi duhet së pari t’i bashkohet Bashkimit Ballkanik dhe pastaj të gjitha vendet së bashku mund të hyjnë në Evropë. Pra, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova, të gjitha së bashku. Kjo, mund të thuash, është ideja ruse”, deklaroi Abramović.

Në këtë mënyrë, anëtarësimi i Shqipërisë në BE trajtohet nga bashkëbiseduesit përmes rivalitetit historik dhe politik me Serbinë, duke lënë të kuptohet se përparimi i Tiranës përpara Beogradit mund të shihet si një prishje e balancave të fuqisë në rajon.

Biseda vijoi me pretendime për një lidhje mes protestave në Serbi, zhvillimeve politike në Shqipëri dhe një procesi më të gjerë destabilizimi që, sipas tyre, mund të përfshijë edhe Maqedoninë e Veriut.

“Shqipëria po dridhet, Maqedonia po ashtu. Do të përhapet, sigurisht që do të përhapet”, u tha gjatë diskutimit.

Në këtë kuptim, diskutimi është domethënës për mënyrën se si shihet integrimi evropian i Shqipërisë në disa qarqe politike e intelektuale të rajonit, pasi nxjerr në pah një qëndrim sipas të cilit Shqipëria nuk duhet të lejohet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian përpara Serbisë, edhe nëse përparimi i saj në procesin e negociatave e mundëson këtë.