Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Erges Eskiu, i ftuar në emisionin ‘SYRI Digjital’ me moderatorin Bled Marku, ka bërë thirrje për bashkimin e opozitës kundër qeverisë së Edi Ramës, duke paralajmëruar se, nëse kryeministri arrin t’i shpëtojë kësaj beteje politike, Shqipëria rrezikon të mos ekzistojë më siç njihet sot.
Duke marrë si shembull Gjergj Kastriotin, Eskiu tha se Skënderbeu arriti të bashkonte princat shqiptarë, edhe pse jo të gjithë e donin, sepse bashkimi i tyre ishte i domosdoshëm përballë rrezikut të përbashkët.
Sekretari për Aksionin qytetar në PD e lidhi këtë paralajmërim me largimin e shqiptarëve dhe ardhjen e punonjësve të huaj, duke deklaruar se, po ndodh zëvendësimi gradual i popullsisë shqiptare. Sipas tij, kjo prirje do të ketë pasoja jo vetëm demografike, por edhe ekonomike, pasi punonjësit që vijnë nga vende më të varfra nuk do të kenë të njëjtin nivel konsumi.
Ai u ndal edhe te bashkëpunimi mes forcave opozitare, duke thënë se jo të gjitha partitë parlamentare janë kundër një marrëveshjeje të përbashkët. Eskiu deklaroi se Partia e Lirisë vazhdon të jetë në krah të PD-së dhe se edhe partitë e reja parlamentare kanë shprehur dëshirën për bashkëpunim. Sipas Eskiut, njëra prej partive e ka pranuar de facto marrëveshjen, edhe pse ajo ende nuk është bërë publike.
‘Shiko, tani, Skënderbeun nuk e donin të gjithë princat, por i duheshin të gjithë. Dhe, diku me mblesëri, me krushqi, diku me marrëveshje tregtare, i bëri bashkë. Edhe para se të largohej nga kjo jetë, la amanet: ‘Qëndroni të bashkuar, se të vetëm do të jeni të shpërndarë’.
E kam të gjithën këtu. Ne sot, ashtu si Skënderbeu u druhej osmanëve, i druhemi Ramës, sepse mund të shkatërrojë gjithë shtetin shqiptar. Pavarësisht se e ka shpërbërë, ekzistenca e kombit shqiptar varet shumë nga kjo betejë. Në qoftë se shqiptarët e fitojnë këtë betejë, Shqipëria do të vazhdojë të jetojë ndër shekuj. Në qoftë se Rama ia del t’i shpëtojë kësaj here, atëherë nuk do të ketë më Shqipëri pas 10 ose 20 vitesh. Nuk do të ketë më shqiptarë në këto troje. Ju shikoni Tiranën, që është mbushur me filipinas, bangladeshas, indianë, me njerëz nga Afrika. I shikoni çdo ditë me valixhe nëpër duar. Pra, këta kanë nisur de facto zëvendësimin e popullatës shqiptare. Këta po na zëvendësojnë, këta po marrin krah pune nga vendet e botës së tretë, për t’i përdorur si skllevër.
Shiko, na erdhi malaria, i nderuar. Na erdhi sëmundja e malaries këtu dhe na preku edhe në aspektin ekonomik. Në qoftë se shqiptarët nuk qëndrojnë këtu dhe largohen, ata që po vijnë janë më të varfër. Pra, në qoftë se ekonomia shqiptare është ekonomi konsumi, konsumi do të bjerë, sepse do të kesh njerëz të varfër. Nuk do të kesh njerëz të pasur që mund të shpenzojnë para dhe të rrisin konsumin. Do të kesh njerëz të varfër, të cilët do të shtrëngojnë barkun, me shpresën se mund t’u ndihmojnë familjeve të tyre në vendin e origjinës, aty ku i kanë familjet. Pra, nuk është se zgjidhin gjë as bizneset e mëdha dhe as qendrat tregtare duke marrë njerëz të varfër. Biznesi rritet duke pasur turizëm ose duke pasur njerëz të pasur, të cilët qarkullojnë më shumë para, jo duke qarkulluar mizerie.
Ka ardhur sëmundja e malaries. Mund të vijnë sëmundje të tjera, mund të fillojnë vrasjet, vjedhjet, përdhunimet. Kemi parë edhe vjedhje në Durrës, të paktën. Edhe në Tiranë kemi parë vjedhje. Pra, këto kanë nisur. Shqipëria nuk do të ketë siguri dhe nuk do të ketë më shqiptarë. Do të mbeten vetëm të moshuarit, derisa të kenë frymë e jetë, dhe pastaj do të ketë vetëm njerëz nga vendet e botës së tretë. Do të ketë vetëm skllevër modernë, të cilët Rama i përdor për trafikun e drogës dhe për të bërë disa punë të tjera.
Dhe ata njerëz që vënë bast me jetën e shqiptarëve, e kam fjalën për kryetarët e partive, sepse këto nuk janë parti me bazë, me strukturë, me figura politike të njohura. Janë parti te puna. Ka lëvizje, pa diskutim. Njëra parti e ka pranuar marrëveshjen de facto, pavarësisht se nuk është bërë publike dhe pritet një moment. Po punohet. Jo të gjitha partitë opozitare parlamentare janë në kundërshtim. Partia e Lirisë ka qenë dhe vazhdon të jetë me ne, por edhe partitë e reja parlamentare kanë shprehur dëshirën për të bashkëpunuar.
Atëherë mbetet vetëm mundësia dhe partia e Çorit. Pra, mbeten komunistët, të cilët e kanë të natyrshme të bashkëpunojnë me Edi Ramën, sepse u pëlqen diktatura, edhe Agron Shehaj, që hedh bast tashmë me jetën e shqiptarëve: ‘Më pritni mua sa të bëhem gati për vitin 2033’. 2033-shi, thotë Agron Shehaj, apo 2087-ta, nuk do të ketë më shqiptarë, s’do të ketë kush ta votojë, sepse ata që vijnë nga vendet e botës së tretë do të votojnë për Agron Shehajn apo mbështetësit e tij. Ata do të detyrohen të votojnë Edi Ramën, sepse Edi Rama i ka sjellë në Shqipëri. Sistemi i patronazhimit do t’u thotë atyre: patronazhisti do të shkojë e do t’u thotë: ‘Ne të kemi sjellë në Shqipëri dhe prej nesh je këtu. Ndryshe, po erdhi ai tjetri, ti s’ke më, do të kthehesh atje nga ke ardhur’. Pra, patronazhimi dhe vota do të jenë më të lehta për t’u manipuluar.
Dhe këta njerëz ose janë me inteligjencë të ulët, ose janë marrë peng nga Edi Rama, por, në të dyja rastet, nuk i shërbejnë Shqipërisë. Kjo është të luash me fatin e shqiptarëve: ‘Më prisni ju mua sa të bëhem gati’. Jo!
Dhe nuk ka as skenar serb këtu. Skenari serb ishte i tillë, sepse partitë opozitare ishin në përqindje të pakonsiderueshme; më e madhja ishte 6.7%. ‘, tha Erges Eskiu në SYRI TV.
© SYRI.net
‘Protesta e 28 Nëntorit, madhështore’, Alizoti: Rama do rezistojë pak kohë me polici e krim, fundi i pashmangshëm
Lidhjet e Gentian Salës me Vlora Hysenin e Ergys Agasin, Hoxhaj: Dosja e SHISH voluminoze, zbardh zullumet...
‘Protesta e 28 nëntorit me simbolikë të veçanatë’, Dasho: Mesazh politik për Ramën e Rilindjen, shiptarët duan ndryshim