Një raketë ruse kruiz e tipit Kh-101 u përplas në territorin e Polonisë pas shkeljes së hapësirës ajrore nga tre objekte, njoftuan autoritetet polake. Momenti i goditjes u filmua nga kamerat e sigurisë në një fermë, ndërsa pamjet tregojnë raketën që godet një zonë rurale në juglindje të Polonisë, duke shkaktuar një zhurmë të fortë dhe shpërthim. Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes në zonën e Nowy Lipowiec, rreth 50 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Sipas Ministrisë polake të Mbrojtjes, bëhet fjalë për një raketë kruiz të tipit Kh-101, e projektuar për goditje me precizion, e cila u rrëzua rreth orës 06:30. Autoritetet konfirmuan se nuk pati persona të lënduar apo dëme të raportuara nga ky goditje. Në të njëjtën kohë, një tjetër raketë e dyshuar u rrëzua pranë Rudnik nad Sanem, në perëndim të zonës së parë të goditjes, ndërsa një dron me motor reaktiv u rrëzua pranë Mołodycz.
Dëshmitarja lokale Natalie Szponar tha se në momentin e incidentit po përgatiste fëmijët për shkollë dhe dëgjoi fillimisht një tingull si fishkëllimë, e më pas një goditje të fortë. Autoritetet polake e kanë cilësuar incidentin si një provokim nga Moska, duke ngritur dyshime se shkelja e hapësirës ajrore nuk ishte aksidentale. Kryeministri polak, Donald Tusk, theksoi dyshimet lidhur me qëllimin e incidentit dhe vuri në dukje se ngjarja ndodhi pranë zonës ku po zhvillohen stërvitje ushtarake të vendeve perëndimore.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deklaroi se Varshava do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë pas këtij incidenti. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe konfirmoi se avionët e aleancës u ngritën në ajër në përgjigje të situatës. Rusia nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me incidentin.
