Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, është tërhequr nga deklarata e tij kritike ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi kishte cilësuar si “budallallëqe” kundërshtimet amerikane ndaj sulmeve ukrainase në thellësi të territorit rus.
Në një intervistë për revistën “Politico”, Pistorius pranoi se kishte përdorur një formulim të papërshtatshëm dhe kërkoi ndjesë për mënyrën se si ishte shprehur. Ai bëri të ditur gjithashtu se kishte telefonuar nënsekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat, Elbridge Colby, të mërkurën në mbrëmje, për t’i kërkuar falje.
“Nuk duhej ta kisha bërë këtë”, u shpreh ministri gjerman, duke pranuar se zgjedhja e fjalëve nuk kishte qenë e duhura.
Përplasja diplomatike nisi të martën, gjatë një takimi të aleatëve të Ukrainës në NATO. Gjatë diskutimeve, Colby kishte kritikuar sulmet ukrainase ndaj objektivave ruse që ndodhen larg vijës së frontit.
Deklaratat amerikane u interpretuan si reagim ndaj një sulmi ukrainas që kishte dëmtuar rëndë urën e Krimesë, një korridor strategjik për furnizimin e forcave ruse në Ukrainën jugore.
Pas takimit, Pistorius reagoi ashpër, duke e cilësuar si “mjaft budalla” qëndrimin kritik ndaj sulmeve që synojnë objektiva me rëndësi strategjike dhe përdorim ushtarak në territorin rus.
Megjithatë, duke reflektuar mbi deklaratën, ai pranoi se kishte kaluar në një formulim të papërshtatshëm. Ministri e shpjegoi pjesërisht gafën me faktin se anglishtja nuk është gjuha e tij amtare.

