Ish-trajneri i Napolit rrëfen prapaskenat e karrierës, filozofinë e tij taktike dhe momentet që ndryshuan historinë e Juventusit. Nga refuzimi për të pranuar diktatin e drejtuesve te zbulimi i formacionit 3-5-2, Conte lë të kuptohet se një rikthim në Torino mbetet një kapitull i papërfunduar.
Antonio Conte ka dhënë një intervistë të gjatë për “Cronache di Spogliatoio”, ku ka zbuluar shumë detaje nga karriera e tij si trajner. Nga Juventus te Chelsea, Interi dhe Napoli, tekniku italian ka folur për filozofinë e punës, marrëdhënien me futbollistët, rëndësinë e humbjeve dhe evolucionin taktik që e bëri një nga trajnerët më karakteristikë të futbollit europian. Por deklarata që tërheq më shumë vëmendjen lidhet me Juventusin. Conte nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer një ditë në Torino, duke pranuar se ka lënë diçka të papërfunduar me klubin bardhezi.
Humbjet janë ato që të bëjnë më të fortë
Ndryshe nga shumë trajnerë që flasin për trofetë dhe sukseset, Conte këmbëngul se janë pikërisht humbjet ato që e kanë ndihmuar të rritet.
“Kur njerëzit më pyesin për fitoret, unë flas më shumë për humbjet. Gjatë karrierës sime kam fituar si lojtar dhe si trajner, por mendoj se kam humbur shumë. Kam fituar një Champions League me Juventusin, por kam humbur edhe tri finale të tjera, përfshirë një kundër Milanit të Ancelottit, me penallti”, rrëfeu ai.
Për Conten, humbja është një mësim që duhet përpunuar për të mos përsëritur të njëjtat gabime.
“Humbja të jep diçka që duhet ta analizosh dhe ta përpunosh, në mënyrë që të mos ndodhë më. Në fund, fituesit shkruajnë historinë, ndërsa ata që mbërrijnë të dytët harrohen”, u shpreh trajneri italian.
Refuzoi Juventusin për shkak të një lojtari: “Nuk jam trajneri i duhur për ty!”
Një nga episodet më interesante të intervistës lidhet me kontaktet e para për t’u ulur në pankinën e Juventusit, pas eksperiencës te Bari. Conte kishte një ide të qartë për lojën dhe kërkonte të ndërtonte një skuadër sipas skemës 4-2-4.
Në atë periudhë, Juventusi kishte transferuar Diegon nga Werder Bremen, ndërsa trajneri kërkonte të përforconte krahët me lojtarë si Miloš Krasić. Conte propozoi një zgjidhje për ta përshtatur brazilianin në skemën e tij, por drejtuesit i bënë të ditur se futbollisti dëshironte të luante në një tjetër sistem, 4-3-1-2.
Reagimi i Contes ishte i menjëhershëm.
“Dikush tjetër mund të kishte thënë: ‘Po, do ta lejoj të luajë edhe në portë, vetëm më jepni kontratën’. Unë po kaloja nga Bari te Juventusi, por u thashë: ‘Nëse është lojtari ai që duhet të vendosë se si luajmë, atëherë unë nuk jam trajneri i duhur për ju’”, tregoi Conte.
Vidal ndryshoi gjithçka, kështu lindi skema 3-5-2
Conte ka kundërshtuar vazhdimisht etiketimin si trajner fundamentalist, duke theksuar se gjatë karrierës ka eksperimentuar me shumë skema taktike. Kur mbërriti te Juventusi, ideja fillestare ishte 4-2-4, por ndeshja kundër Parmës ndryshoi planet e tij. Trajneri nuk ishte i kënaqur me atë që po shihte në pjesën e parë dhe vendosi të aktivizonte Arturo Vidalin, i cili ishte afruar atë verë nga Bayer Leverkuseni.
“Vidal hyri në pjesën e dytë, shënoi dhe ne fituam 4-1, duke dominuar ndaj Parmës. Atëherë fillova të mendoj: si mund ta lë këtë lojtar jashtë skuadrës?”, kujton italiani.
Me Andrea Pirlon, Claudio Marchision dhe Vidalin në mesfushë, Conte nisi të ndryshonte strukturën e skuadrës. Më pas erdhi edhe kalimi te mbrojtja me tre lojtarë, ku Giorgio Chiellini, Leonardo Bonucci dhe Andrea Barzagli formuan një nga repartet më të famshme të historisë së Juventusit. Kështu lindi sistemi 3-5-2, që u kthye në një nga identitetet më të forta taktike të Contes.
“Lojtarët e mi nuk janë robotë”
Një tjetër aspekt ku Conte ndalet gjatë është mënyra se si komunikon me futbollistët dhe përgatit skuadrën për ndeshjet. Ai nuk kërkon bindje të verbër, por dëshiron që lojtarët të kuptojnë arsyen e çdo detyre taktike.
“Gjëja e parë që u them është se nuk jeni thjesht ekzekutues. Nëse nuk kuptoni pse duhet të bëni një lëvizje të caktuar, duhet të më pyesni: ‘Trajner, pse duhet ta bëj këtë?’. Nëse nuk kam një përgjigje, atëherë do të thotë se po them budallallëqe”, shpjegoi ai.
Sipas Contes, përgatitja taktike është një nga çelësat kryesorë të suksesit. “Skuadra ime duhet ta luajë ndeshjen përpara se të zbresë në fushë. Futbollistët duhet ta dinë që më parë se çfarë lloj ndeshjeje do të përballen. Mendoj se 85% e asaj që ndodh gjatë një takimi përgatitet paraprakisht. Pastaj është 15% e paparashikueshme dhe aty duhet të jetë vetë lojtari ai që gjen zgjidhjen”, tha trajneri.
Buffon nuk bëri përjashtim nga rregullat e Contes
Në intervistë nuk mungoi as një histori interesante nga ditët e para të Contes në Juventus. Gjatë një faze përgatitore në Bardonecchia, pas një fitoreje miqësore 20-1, skuadra pësoi një gol të shpejtë në ndeshjen pasardhëse, duke përsëritur një gabim të bërë edhe më parë. Conte vendosi të ndërpresë gjithçka dhe të mblidhte skuadrën për një analizë të menjëhershme. Në atë moment, Gianluigi Buffon ishte larguar tashmë nga fusha, pasi ishte zëvendësuar në pushimin e ndeshjes.
Trajneri kërkoi që portieri të kthehej për të marrë pjesë në diskutim, duke treguar se në skuadrën e tij nuk kishte privilegje për askënd.
“Një shpërqendrim mund të ndodhë një herë, por të përsërisësh të njëjtin gabim në ndeshjen pasardhëse nuk ishte e pranueshme. I thashë përgjegjësit të skuadrës të ndalonte, sepse duhej të flisja me të gjithë. Grupi kuptoi se rregullat vlejnë për të gjithë. Edhe Buffon duhej të përgjigjej për gabimin e tij, jo vetëm një lojtar i akademisë”, tregoi Conte.
Rikthimi te Juventusi? “E di që kam lënë diçka pas”
Në fund, Conte foli edhe për mundësinë e një rikthimi në pankinën e Juventusit, duke lënë një deklaratë që sigurisht do të ushqejë spekulimet për të ardhmen. “Unë mendoj se herët a vonë ky rreth me Juventusin duhet të mbyllet. E di që kam lënë diçka pas. Duhet të jem i lirë dhe Juventusi duhet të jetë në kërkim të një trajneri që nuk ka një skuadër”, u shpreh ai. Conte zbuloi se në të kaluarën kanë ekzistuar dy mundësi konkrete për një ribashkim, por në të dyja rastet rrugët e tyre morën drejtime të ndryshme.
“Njëra ndodhi kur Juventusi zgjodhi Sarrin. Unë isha i lirë, por përfundova te Interi. Tjetra ishte kur Giuntoli zgjodhi Thiago Mottën dhe unë shkova te Napoli”, përfundoi trajneri italian.