Dhunoi anëtaren e këshillit bashkiak, kryebashkiaku i Vuçic nën akuzë nga drejtësia
Kryebashkiaku i Beogradid Aleksandar Sapiç është nën akuzë nga drejtësia serbe, pasi ka dhunuar këshilltaren bashkiake të opozitës Tatjana Miçiç.
Mediat serbe raportojnë se Sapiç është një nga figurat e njohura të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila ishte në pushtet deri në humbjen në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar.
“Viktima ka pësuar fraktura nga hunda deri në nofullën e sipërme, si dhe dëmtime në qafë dhe në krahun e djathtë, të cilat, të marra së bashku, përbëjnë një dëmtim të rëndë trupor”, bëri të ditur prokuroria në një njoftim. Sipas raportimit, kryebashkiaku rrezikon një dënim me burg deri në tre vjet.
Lëvizja opozitare “Kreni-Promeni”, pjesë e së cilës është Miçiç, e akuzoi Sapiç se kishte sulmuar atë dhe bashkëshortin e saj mbrëmjen e 28 shtatorit, në një periferi të Beogradit. Lëvizja publikoi në internet edhe një video të incidentit, si dhe pamje të dëmtimeve në fytyrën e gruas.
I marrë në pyetje nga policia, kryebashkiaku mohoi se kishte sulmuar këshilltaren, duke pranuar vetëm se kishte pasur një debat të ashpër dhe një përleshje fizike me bashkëshortin e saj.
Prokuroria deklaroi se, përpara ngritjes së akuzave, kishte marrë në pyetje dëshmitarë, kishte shqyrtuar pamjet filmike dhe kishte konsultuar dokumentacionin mjekësor.
Partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut, por ai e ka refuzuar këtë kërkesë.
SNS, e cila qeverisi Serbinë për 14 vjet, humbi pushtetin në vend pas fitores së thellë të lëvizjes së drejtuar nga studentët në zgjedhjet parlamentare të tetorit. Megjithatë, partia vijon të kontrollojë Bashkinë e Beogradit.




