Fondi i Rindërtimit / Qeveria akordon rreth 319.3 milionë lekë për riforcimin e banesave individuale në Shijak, Vorë dhe Krujë

Aktualitet | 3 minuta më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar përdorimin e një fondi prej 319,350,424 lekësh (pa TVSH) nga programi i Rindërtimit për vitin 2026, me qëllim financimin e punimeve të riforcimit të banesave individuale në bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë.

Vendimi u mor me propozimin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr. 97/2019.

Kriteret e përfitimit dhe ndarja e fondeve sipas bashkive

Sipas përcaktimit ligjor, ky financim u dedikohet familjeve dhe individëve, banesat e të cilëve janë klasifikuar si “objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara”.

Shuma totale prej 319,350,424 lekësh (pa TVSH) u alokohet tri bashkive përfituese sipas këtij detajimi:

Bashkia Vorë

221,966,407 lekë

Bashkia Krujë

77,007,917 lekë

Bashkia Shijak

20,376,100 lekë

Efekti financiar i këtij vendimi përballohet nga zëri i shpenzimeve të fondit të rindërtimit, të miratuar për vitin buxhetor 2026, dhe u kalon bashkive Shijak, Vorë dhe Krujë “në formën e transfertës së pakushtëzuar”.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, si dhe tri bashkitë përfituese.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme