Në Shënjestër

Zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi në qershor të vitit 2026 vuri në lëvizje policinë, pasi familjarët ngritën dyshimet se i riu mund të ishte rrëmbyer dhe vrarë. Eglanti ishte parë për herë të fundit më 4 qershor, duke lëvizur me motorin e tij tip “Honda” në Tiranë, ndërsa prej atij momenti nuk kishte pasur më asnjë kontakt me familjen.

Një ditë më pas, më 5 qershor, vëllai i tij, Ledio Koçi, u paraqit në Komisariatin nr. 2, ku denoncoi zhdukjen dhe shprehu dyshimet për fatin e të vëllait.

Në kallëzimin e tij, sipas dosjes hetimore, ai deklaroi: “Vëllai im Eglant Koçi është larguar nga banesa që në datën 4 Qershor 2026, ora 11.00, dhe që prej asaj kohe kam humbur komunikimin me të.”

Në dëshminë e dytë, Ledio Koçi tregoi se i vëllai merrej me shkëmbimin e kriptomonedhave, duke ngritur dyshimet se zhdukja mund të kishte lidhje me aktivitetin financiar që kryente.

Policia verifikoi një pikë këmbimi valutor në zonën e Laprakës, pranë Spitalit të Traumës, ku sipas familjarëve Eglanti kryente konvertimin e kriptomonedhave. Pronari i subjektit, Julian Kërçiku, pranoi se e njihte të riun dhe se ai kryente transferta valutore, por mohoi që pika e tij të përdorej për shkëmbimin e kriptomonedhave.

Një tjetër emër që doli gjatë hetimeve ishte ai i Armand Shakajt, i njohur në botën e krimit edhe me nofkën “Dhelpra e kuqe”. Ishte nëna e Eglantit ajo që e përmendi fillimisht si një mik dhe komshi të të birit.

I pyetur nga policia, Shakaj deklaroi se e kishte takuar Eglantin më 3 qershor dhe se ky i fundit i kishte treguar për probleme me call center-at dhe kriptomonedhat. Një deklarim që, sipas hetimeve, do të rezultonte pjesë e alibisë së tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb