Nga Ndriçim Kulla
Ka diçka thellësisht dramatike në mënyrën se si po trajtohet libri në Shqipëri, diçka që nuk mund të shpjegohet më vetëm me krizën e leximit, me vështirësitë e tregut apo me mungesën e fondeve për botimet. Ajo që po ndodh është shumë më e rëndë: libri po humbet gradualisht vendin e tij në jetën publike, po zhduket si një zë i veçantë në filozofinë dhe në politikat buxhetore të shtetit, ndërsa kultura e shkruar, që duhet të jetë një nga themelet e identitetit dhe të vetëdijes kombëtare, po lihet në një gjendje braktisjeje që, në pasojat e saj, mund të quhet pa e tepruar një proces shfarosjeje kulturore. Nuk kemi të bëjmë me një ndalim të librit, siç ndodhte në diktaturë, por me një dukuri ndoshta edhe më të vështirë për t'u dalluar: me zhdukjen e tij nga vëmendja, nga projektet, nga institucionet dhe, mbi të gjitha, nga vetë mendimi politik për kulturën.
Prej katërmbëdhjetë vjetësh janë zhdukur pothuajse tërësisht ato kolana të mrekullueshme të botimeve studimore shqiptare që i dhanë një dimension të veçantë rivlerësimit të traditës sonë intelektuale, historike dhe letrare. Nuk është fjala vetëm për ndërprerjen e disa serive botimesh, por për ndërprerjen e një filozofie të tërë kulturore, e cila e konsideronte librin si një investim në kujtesën kombëtare dhe jo si një produkt të zakonshëm tregu. Ato kolana nuk ishin thjesht botime që plotësonin raftet e bibliotekave, por përbënin një përpjekje për të ndërtuar një vazhdimësi të mendimit shqiptar, për të rikthyer autorë të lënë në harresë dhe për t'i dhënë lexuesit mundësinë të kuptonte se historia jonë intelektuale nuk fillon aty ku fillojnë interesat e politikës së ditës. Ku janë sot projektet për rikthimin e mendimit shqiptar të lënë në heshtje, për rivlerësimin e autorëve dhe veprave të përjashtuara nga diktatura komuniste, për botimin e korifenjve të Rilindjes, për letërsinë e ndaluar, për trashëgiminë e mendimit filozofik, historik e sociologjik shqiptar? Ku janë kolanat që do t'u jepnin brezave të rinj mundësinë të njihnin jo vetëm atë që u lejua të botohej, por edhe atë që u pengua të bëhej pjesë e ndërgjegjes sonë kulturore? Përse nuk ka një politikë të qëndrueshme botimesh për letërsinë për fëmijë, për autorët klasikë, për studimet e traditës, për veprat që kanë formësuar identitetin tonë dhe që sot po mbeten jashtë qarkullimit kulturor?
Kjo mungesë është veçanërisht e rëndë kur kemi parasysh se Shqipëria ka një trashëgimi të pasur, por jo gjithmonë të njohur e të studiuar sa duhet, një trashëgimi që kërkon jo vetëm ribotim, por edhe interpretim të ri, botime kritike, studime krahasuese dhe një përpjekje serioze për ta vendosur në dialog me kulturën evropiane. Autorë të traditës sonë kanë prodhuar mendim, letërsi dhe analiza që nuk mund të mbeten peng i harresës vetëm sepse nuk përputhen me modat e sotme apo me interesat e institucioneve. Një shoqëri që nuk investon në njohjen e vetvetes, që nuk i rikthehet burimeve të saj intelektuale, e humbet gradualisht aftësinë për të dalluar se cilat janë vlerat që e kanë formuar. Aq më tepër kur një pjesë e kësaj trashëgimie ka kaluar nëpër filtrat ideologjikë të diktaturës, është shtrembëruar, është përjashtuar ose është lënë pa u studiuar. Rivlerësimi i saj nuk është një luks akademik, por një detyrim ndaj së vërtetës historike dhe ndaj brezave që kanë të drejtë të njohin të gjithë spektrin e mendimit shqiptar.
Kjo shpërfillje nuk është më një rastësi administrative. Ajo është shndërruar në një mënyrë funksionimi të politikës kulturore, e cila duket sikur e ka humbur krejtësisht vetëdijen për rolin e librit. Nuk ka projekte serioze dhe të vazhdueshme për promovimin e botimeve me tematika të veçanta, nuk ka një politikë të organizuar për t'i bërë librat të pranishëm në hapësirat digjitale, në portalet kulturore, në mediat publike dhe në platformat që mund të nxisin interesin e lexuesve. Nuk ka një strategji që ta shoqërojë librin nga momenti i botimit deri te takimi i tij me lexuesin, që të krijojë ura midis botuesve, bibliotekave, shkollave, universiteteve dhe mediave, duke e bërë librin pjesë të një qarkullimi të gjallë kulturor. Në një kohë kur komunikimi publik po zhvendoset gjithnjë e më shumë në hapësirat digjitale, mungesa e një politike të tillë është pothuajse një braktisje e qëllimshme e mundësive të reja të promovimit.
Nxitja e leximit, në një shoqëri ku kriza e leximit është bërë një nga dukuritë më të dukshme të varfërimit intelektual, duket se ka zbritur pothuajse në nivelin zero. Kjo është një prej plagëve më të rënda, sepse kriza e leximit nuk është thjesht një problem i tregut të librit, por një problem që prek formimin e individit, aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur, për të kuptuar historinë dhe për të dalluar informacionin nga manipulimi. Një brez që nuk lexon, që nuk krijon marrëdhënie me librin dhe që nuk ka mundësi të njihet me autorët e mëdhenj të kulturës së vet, bëhet më i pambrojtur përballë sipërfaqësisë së komunikimit dhe më i varur nga mendimi i gatshëm.
Ndërkohë, projektet kulturore më së shumti përfundojnë të lidhura me logjikën e fushatave, të veprimtarive të rastit dhe të interesave që nuk kanë asnjë vazhdimësi në ndërtimin e një kulture kombëtare të leximit. Nuk mund të ndërtohet një politikë kulturore duke numëruar aktivitetet, duke prodhuar konferenca dhe duke shpërndarë deklarata për rëndësinë e artit, ndërsa në fund të vitit nuk mund të identifikohet asnjë program botimi që të ketë lënë një gjurmë të qëndrueshme në trashëgiminë tonë. Kultura matet me atë që i lë shoqërisë, me veprat që arrin të shpëtojë nga harresa, me mendimin që arrin të përcjellë dhe me institucionet që krijon për ta bërë këtë trashëgimi të gjallë.
Mitrush Kuteli e ka shprehur me një kompetencë të rrallë një të vërtetë që duhet të ishte themel i çdo politike shtetërore për librin shqip: për shkak të veçorive të tij gjuhësore dhe të karakterit unik të kësaj gjuhe, libri shqip nuk mund të mbështetet në të njëjtat mekanizma tregu dhe në të njëjtën trashëgimi ekonomike e kulturore si librat e gjuhëve të mëdha evropiane. Ai ka nevojë për një patronazh të posaçëm të shtetit, jo si favor ndaj autorëve apo botuesve, por si detyrim ndaj një pasurie që përfaqëson një trashëgimi të pazëvendësueshme kombëtare. Dhe pikërisht këtu lind pyetja: ku është sot ky patronazh? Ku është përgjegjësia e këtij shteti për të mbrojtur, botuar, promovuar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm trashëgiminë e shkruar shqiptare? Nuk është çështje vetëm parash. Paratë gjenden, siç e kemi parë në raste të tjera, por ajo që mungon është filozofia, vizioni dhe hierarkia e vlerave. Libri shqip nuk mund të lihet të përballet i vetëm me një treg të vogël, me fuqinë e kufizuar blerëse të lexuesve dhe me konkurrencën e një industrie ndërkombëtare që operon në gjuhë me qindra milionë folës. Këtu ndërhyrja e shtetit nuk është një favor që i bëhet botuesit, por një mënyrë për të garantuar mbijetesën dhe zhvillimin e një pasurie që tregu, i vetëm, nuk mund ta mbajë.
Si mund të shpjegohet, për shembull, që për një koncert të Kanye West-it të gjenden katër milionë euro të firmosura madje duke shkelur ligjin tak fap, një shumë që, sipas krahasimit me fondet e deklaruara për kulturën dhe librin së bashku, përfaqëson disa herë buxhetin e tyre vjetor të marrë së bashku, ndërsa për botimin e traditës sonë intelektuale nuk ndërtohet asnjë program afatgjatë? Çfarë janë këto marrëzi që nuk ndëshkohen?! Me një shumë të tillë mund të financoheshin dhjetëra e dhjetëra projekte botimi, mund të riktheheshin kolana të tëra studimore, mund të ribotoheshin autorë të harruar, mund të krijohej një program kombëtar për letërsinë për fëmijë, për mendimin e ndaluar, për korifenjtë e Rilindjes dhe për veprat themelore të kulturës shqiptare. Do të krijohej një pasuri që nuk do të konsumohej brenda disa orëve të një koncerti, por do të mbetej për dhjetëra vjet në bibliotekat, shkollat, universitetet dhe në kujtesën e brezave.
Dhe këtu problemi merr një përmasë edhe më të rëndë kur shohim buxhetin e këtij viti. Edhe në këtë dokument themelor të politikave publike, libri nuk shfaqet me peshën dhe me identitetin e vet si një fushë që kërkon program, përgjegjësi dhe financim të qëndrueshëm. Nuk mjafton që fondet e librit të fshihen brenda zërave të përgjithshëm të kulturës, të shpërndahen nëpër projekte të fragmentuara apo të varen nga vendimmarrje të rastësishme. Libri ka nevojë për një zë të qartë buxhetor, për një program kombëtar botimesh dhe për një strategji që të mos ndryshojë sipas dëshirave të drejtuesve të radhës. Pa këtë identitet buxhetor, pa transparencë mbi fondet dhe pa objektiva të matshëm, libri mbetet gjithmonë në fund të listës, një kërkesë që mund të shtyhet, të harrohet apo të sakrifikohet pa asnjë kosto politike. Një buxhet që nuk e dallon librin si një kategori të veçantë të investimit kulturor, në të vërtetë nuk e ka kuptuar as natyrën e veçantë të tij. Sepse botimi i një libri studimor, ribotimi i një autori të traditës apo përgatitja e një kolane mendimi nuk mund të varen nga të njëjtat kritere me të cilat financohen aktivitetet e zakonshme artistike. Këto janë investime që kërkojnë kohë, përgatitje shkencore, redaktim, aparaturë bibliografike, përkthim, shtypje dhe një përgjegjësi institucionale që shkon përtej një viti buxhetor.
A nuk do të duhej të kishte, për shembull, një program kombëtar shumëvjeçar për botimin e autorëve shqiptarë të traditës, me prioritete të përcaktuara nga studiues dhe institucione të pavarura? A nuk do të duhej të ekzistonte një fond i posaçëm për letërsinë e ndaluar dhe për veprat që nuk arritën të bëheshin pjesë e bibliotekës sonë publike për shkak të censurës ideologjike? A nuk do të duhej të krijohej një program i qëndrueshëm për librin për fëmijë, për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të huaja dhe për rikthimin në qarkullim të veprave që sot gjenden vetëm në biblioteka të rralla apo në koleksione private? Këto nuk janë kërkesa të jashtëzakonshme, por elemente të zakonshme të një politike kulturore që e kupton se trashëgimia nuk ruhet vetëm duke e përmendur në fjalime, por duke e botuar, studiuar dhe vënë në dispozicion të publikut.
Çfarë po ndodh, në të vërtetë, me taksapaguesin shqiptar? A nuk do të ishte më e drejtë që një pjesë e parave të tij të përdorej fillimisht për të rikthyer në qarkullim thesarin e mendimit dhe të letërsisë shqiptare, për të botuar veprat që na kanë munguar, për të ndihmuar autorët dhe studiuesit që punojnë mbi trashëgiminë tonë, përpara se të shpenzohen shuma të mëdha për spektakle që nuk lënë pas një pasuri të krahasueshme intelektuale? Kjo nuk është një zgjedhje kundër artit apo kundër muzikës. Është një kërkesë për drejtësi në shpërndarjen e burimeve publike dhe për një kulturë që nuk e ngatërron spektaklin me zhvillimin, dukshmërinë me vlerën dhe propagandën me krijimtarinë. Taksapaguesi nuk ka arsye të paguajë vetëm për atë që i ofrohet si argëtim i çastit; ai ka të drejtë të kërkojë që paratë e tij të shndërrohen edhe në dije, në bibliotekë, në edukim dhe në pasuri që mbetet pronë e përbashkët e shoqërisë.
Në fund të fundit, çfarë është një komb pa librat e vet, pa autorët e tij, pa kujtesën e mendimit që ka prodhuar ndër shekuj? Një komb që nuk boton traditën e vet, që nuk rivlerëson mendimin e ndaluar, që nuk i njeh fëmijët me letërsinë e mirë dhe që nuk e nxit leximin, humbet jo vetëm lidhjen me të kaluarën, por edhe aftësinë për të menduar të ardhmen. Shfarosja e librit nuk ndodh domosdoshmërisht duke djegur bibliotekat apo duke ndaluar botimet. Ajo po ndodh edhe sot në heshtje, kur institucionet tona nuk botojnë, kur politikat nuk promovojnë, kur buxhetet nuk parashikojnë, kur shkollat nuk nxisin leximin dhe kur shteti heq dorë nga përgjegjësia për të mbrojtur pasurinë e vet intelektuale. Në këtë kuptim, ajo që po ndodh është më shumë se një krizë e industrisë së botimit: është një shkëputje e rrezikshme e shtetit nga kujtesa dhe identiteti i vet kulturor.
© SYRI.net