Punonjësit operativë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, të cilët transferohen për arsye pune larg vendbanimit të tyre të përhershëm, do të përfitojnë kompensim për qiranë e banesës. Vendimi u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe përcakton kriteret, dokumentacionin dhe masën e përfitimit.
Sipas vendimit, kompensimi do të jepet kur punonjësi transferohet brenda vendit dhe distanca nga vendbanimi i tij i përhershëm është më shumë se 36 kilometra. Përfitimi do të llogaritet në bazë të sipërfaqes së banimit, duke nisur nga 30 metra katrorë neto për punonjësit që nuk kanë familjarë të tjerë në ngarkim dhe që nuk zhvendosen me ta. Për çdo pjesëtar shtesë të familjes që e shoqëron, sipërfaqja e përllogaritur rritet me 10 metra katrorë.
Masa mujore e kompensimit do të jetë sa vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2015 për çmimet minimale të referencës së qirave të ndërtesave për qëllime tatimore.
Për të përfituar mbështetjen financiare, punonjësit duhet të paraqesin pranë strukturës përgjegjëse të burimeve njerëzore një kërkesë me shkrim, kopjen e kartës së identitetit dhe kontratën e noterizuar të qirasë. Gjithashtu, duhet të dorëzojnë një vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që konfirmon se ata dhe pjesëtarët e familjes nuk kanë banesë në territorin ku janë emëruar ose transferuar dhe nuk kanë aplikuar për legalizim.
Dokumentacioni do të shqyrtohet nga struktura e burimeve njerëzore, e cila do të përgatisë praktikën për miratim nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, nëse plotësohen të gjitha kriteret. Një kusht tjetër është që punonjësi të mos përfitojë njëkohësisht kompensim për shpenzimet e udhëtimit.
Pagesa e qirasë do të mbulohet gjatë gjithë periudhës së transferimit ose deri në momentin kur punonjësi siguron një banesë të përhershme në vendin e ri të punës.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Ai hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

