Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e administratës shtetërore, fondeve publike dhe strukturave kriminale për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i cilësoi zgjedhjet si një përballje me atë që e quajti “parti-shtet” dhe pretendoi se opozita u përball me një mekanizëm të gjerë presioni dhe manipulimi të votës.
Berisha ngriti akuza edhe për përdorimin e punësimeve në administratë, lejeve të ndërtimit, legalizimeve dhe certifikatave të pronësisë për qëllime elektorale. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për lidhje me grupet kriminale dhe trafikun e drogës, duke pretenduar se gjatë fushatës elektorale u mbollën 29 mijë hektarë kanabis.
Duke folur për aktivitetin e opozitës pas zgjedhjeve, kreu i PD-së u ndal te protestat e zhvilluara nga dhjetori deri në maj. Ai i cilësoi ato si një “kushtrim për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar”, duke vlerësuar qëndrimin e deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike.
Sipas Berishës, denoncimet e opozitës kanë çuar në Prokurorinë e Posaçme me qindra dosje që lidhen me pretendime për korrupsion dhe abuzime. Ai u shpreh se, pavarësisht problematikave dhe mangësive të opozitës gjatë procesit zgjedhor, në kushte normale zgjedhjet do të ishin fituar prej saj.
Në përfundim të fjalës, Berisha deklaroi se qeveria dhe organizata që ai e cilësoi kriminale janë drejt fundit, ndërsa demokratët i konsideroi si “lajmëtarët” dhe “arkitektët e fundit” të asaj që e quajti të keqen në vend.
“Ne u përballëm jo vetëm me partinë-shtet, e cila, për të rrëmbyer zgjedhjet, njëlloj si Saied i Tunizisë, arrestoi në vitin elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri në ndjekje penale liderin e partisë së tretë, por organizoi, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe ligjeve ndërkombëtare mbi zgjedhjet, 4500 veprimtari, ndër të cilat veprimtarinë kriminale 7-milionëshe të Giro d’Italia ditën e votimit, vetëm e vetëm që, si e si, të ndikonte tek zgjedhësit shqiptarë për të votuar për të.
U përballëm me një njeri që vuri në dispozicion të gjithë miliardat, potencialin financiar, të gjithë potencialin njerëzor, me dhjetëra mijëra punonjës të administratës, në kundërshtim me çdo ligj.
U përballëm me një njeri i cili përdori të gjithë fuqinë ekzekutive, mijëra punësime, lejet e ndërtimit, certifikatat e pronësisë, lejet e legalizimit për të rrëmbyer votat e shqiptarëve.
U përballëm me një njeri, bosi i drogës, të cilin me të drejtë shtypi amerikan e quajti ‘Ramaduro’, i cili vetëm për vota dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis në fushatë elektorale.
U përballëm me një njeri i cili organizoi kartelet më të fuqishme të drogës në Evropë për të na i rrëmbyer votat e qytetarëve shqiptarë. Pra, asnjë diktaturë në Evropë nuk ka përdorur kundër qytetarëve të vet një fuqi kaq të keqe sa ç’është droga. Droga, miqtë e mi, është fuqia e së keqes.
Ju i patë vetë dhomat me euro. Ajo ishte një, kishte 40 milionë apo sa i kishte, por ju garantoj se të tilla janë dhjetëra dhe qindra nëpër Shqipëri, para krimi që u vërsulën në të gjitha mënyrat kundër qytetarëve.
E megjithatë, me punën, me përkushtimin, me mundin, pavarësisht nga të gjitha defektet, problematikat e pamohueshme, kritikat që mund të kemi të drejta ndaj njëri-tjetrit, se mund të performonim më mirë, prapëseprapë ne morëm, ne faktuam se në kushte zgjedhjesh normale do të ishim fitimtarët e zgjedhjeve.
Miqtë e mi, ne mblidhemi sot në një moment kritik, por dhe shumë pozitiv, pa diskutim. Narkoshteti i Edi Ramës, Edi Rama, organizata e tij kriminale janë të plagosur për vdekje.
Falë qëndrimit të pamposhtur, të pakompromis të deputetëve të Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj, me qindra dosje të krimeve monstruoze të tyre u dërguan në Prokurorinë Speciale.
Me qindra denoncime u bënë në sallat e kësaj ndërtese dhe kudo kundër vjedhjeve të pafundme, kundër abuzimeve të pafundme të kësaj organizate kriminale.
Protestat e opozitës, seriali i tyre nga dhjetori, kur shpërtheu skandali Balluku, deri në maj, ishin kushtrime për shqiptarët, por ishin dhe një kushtrim për komunitetin ndërkombëtar.
Çdo e keqe ka një fund, kurrë nuk ka të keqe pa fund, dhe e vërteta është se ju jeni jo vetëm lajmëtarët, por dhe arkitektët e fundit të kësaj të keqeje.”, tha Berisha.