Sassuolo është duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve në repartin e portierëve gjatë afatit kalimtar dimëror, ndërsa në mesin e futbollistëve që mund të largohen është edhe portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric.

Sipas mediumit italian Settecalcio, klubi italian mund të vendosë për largimin e Muric në muajin janar, nëse portieri dardan nuk arrin të përmirësojë paraqitjet e tij në vazhdim të sezonit.


Muriq e nisi edicionin si zgjedhja e parë e trajnerit në portë, duke qenë titullar në tetë ndeshjet e para, por me kalimin e javëve e humbi vendin në formacion.

Në tetë paraqitjet e tij në Serie A, portieri i Kosovës ka pranuar 17 gola, ndërsa në tri ndeshjet e tjera në të cilat ka luajtur Stefano Turati, Sassuolo ka pësuar edhe 12 gola.

Në total, skuadra italiane ka arkëtuar 29 gola në 11 ndeshjet e para të kampionatit, duke regjistruar një fillim të vështirë të sezonit edhe sa i përket rezultateve, pasi ka grumbulluar vetëm tetë pikë.

Megjithatë, edhe Turati nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij, çka e bën situatën në pozitën e portierit një prej çështjeve që Sassuolo pritet ta shqyrtojë para hapjes së afatit kalimtar të janarit.

E ardhmja e Muric në klub mbetet kështu në pikëpyetje, ndërsa muajt në vijim mund të jenë vendimtarë për vazhdimin e aventurës së tij në futbollin italian./Telegrafi/