Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal mbi kallëzime të mbërritura pranë këtij organi ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali. Mësohet se referimi është bërë për një sërë veprash penale që lidhen me deklarimin e rremë, mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin. Burime konfirmuan se procedimi penal është regjistruar pa emër por me veprat penale.
Sipas burimeve, regjistrimi i procedimit penal është kryer së fundmi nga SPAK, rreth fundit të tetorit ndërsa tashmë kanë nisur edhe veprimet hetimore për verifikimin e pretendimeve të ngritura në kallëzim.
Një burim i tha Syri Televizionit se të dhënat e pretenduara mbështeten në një sërë dokumentesh, ku përfshihen deklarimet e pasurisë, dokumentacioni tregtar, të dhënat mbi shoqëritë tregtare dhe ndryshimet e pronësisë, transaksionet financiare, të ardhurat, si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Veç Spiropalit subjekt pritet të jenë edhe të paktën 5 persona të tjerë mes të cilëve, bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj.
Syri Televizion u vu në dijeni të këtij kallëzimi rreth një javë më parë dhe iu drejtua zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme me një kërkesë për informacion lidhur me regjistrimin e procedimit dhe ecurinë e çështjes. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, SPAK nuk ka kthyer ende një përgjigje për kërkesën e drejtuar.
Ndërkohë, zhvillime ka pasur edhe në raport me administratën tatimore. Vetëm pak orë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, reagoi publikisht lidhur me një episod që përfshin bashkëshortin e deputetes, duke deklaruar se ky i fundit kishte mbajtur një qëndrim kundërshtues ndaj punonjësve tatimorë dhe se shkelje e dyshuara janë referuar në organet përkatëse./Syri.net/

