TikTok ka prezantuar një funksion të ri që u mundëson politikanëve dhe figurave publike të zbulojnë videot e krijuara me inteligjencë artificiale, në të cilat përdoret imazhi i tyre pa leje. Nisma synon të frenojë përhapjen e dezinformimit, veçanërisht përpara zgjedhjeve në Evropë, ku videot e manipuluara me AI janë kthyer në një shqetësim për proceset demokratike.
Funksioni, i quajtur “Likeness Detection”, ka nisur të aktivizohet kwtw të premte dhe u drejtohet krijuesve të përmbajtjes, politikanëve, anëtarëve të qeverive dhe llogarive të partive politike.
Përmes tij, figurat publike mund të marrin njoftime kur në TikTok shfaqen video ose llogari që dyshohet se përdorin pamjen e tyre të krijuar me inteligjencë artificiale. Për të përdorur shërbimin, duhet fillimisht të regjistrohen dhe të verifikojnë identitetin përmes një partneri të jashtëm të besuar.
Nëse zbulojnë se imazhi i tyre është përdorur pa pëlqim, mund ta raportojnë përmbajtjen drejtpërdrejt te ekipet e sigurisë së TikTok-ut, të cilat do ta shqyrtojnë dhe do të vendosin nëse duhet të ndërhyjnë.
Nisma vjen ndërsa Evropa po përballet me fushata dezinformimi të mbështetura në inteligjencën artificiale, përfshirë videot deepfake, që mund të paraqesin politikanë duke bërë deklarata ose veprime që nuk kanë ndodhur. Gjatë 12 muajve të ardhshëm, nëntë vende të tjera evropiane pritet të zhvillojnë zgjedhje.
Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin, më 2 gusht, të rregullave të transparencës për inteligjencën artificiale, të cilat kërkojnë që videot deepfake dhe përmbajtjet e tjera të krijuara me AI të identifikohen si të tilla. Edhe TikTok u kërkon prej kohësh përdoruesve të etiketojnë fotografitë, videot dhe regjistrimet audio realiste të prodhuara me inteligjencë artificiale.
Një mjet i dytë, falas edhe për ata që nuk kanë TikTok
Krahas funksionit për figurat publike, kompania ka prezantuar edhe “Identify AI-Generated Content”, një shërbim që u mundëson qytetarëve të kontrollojnë nëse një fotografi apo video është krijuar ose ndryshuar me mjetet e inteligjencës artificiale të TikTok-ut dhe kompanisë mëmë ByteDance.
Mjeti mund të përdoret falas, edhe pa pasur llogari në platformë. Ai kontrollon materiale të prodhuara me aplikacione si CapCut, Dreamina, Hypic dhe Pippit, duke kërkuar të dhëna digjitale dhe shenja të padukshme që vendosen në përmbajtjet e krijuara me AI.
Përdoruesit mund të ngarkojnë fotografi deri në 20 MB dhe video ose regjistrime audio deri në 100 MB. Sipas TikTok-ut, materialet fshihen menjëherë pas kontrollit dhe nuk përdoren për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Megjithatë, kompania paralajmëron se ky shërbim nuk mund të zbulojë çdo falsifikim. Ai identifikon vetëm përmbajtjet e krijuara ose modifikuara me teknologjitë e TikTok-ut dhe ByteDance, ndërsa materialet e prodhuara me programe të tjera mund t’i shpëtojnë kontrollit.
