EULEX mohon pretendimet për keqpërdorim të armëve në rastin e vizitës së Jakup Krasniqit

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave për një trajtim të pretenduar të papërshtatshëm të armëve të zjarrit nga zyrtarët e Policisë së EULEX-it, gjatë ofrimit të mbështetjes logjistike dhe operative për Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin e Jakup Krasniqit.
Përmes një komunikate, EULEX-i i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe i ka mohuar kategorikisht ato.
Misioni ka sqaruar se rasti ka të bëjë me një vizitë në paraburgim (rasti i Jakup Krasniqir), e cila ishte realizuar për arsye të domosdoshme humanitare.
“EULEX-i thekson fuqishëm se zyrtarët policorë të misionit nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt, në asnjë moment”, thuhet në reagim.
EULEX-i ka theksuar gjithashtu se armët e zjarrit nga personeli i tij trajtohen në përputhje të rreptë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Reagimi i misionit vjen pas raportimeve nga disa media se një pjesëtar i EULEX-it ia ka drejtuar armën familjarit të Jakup Krasniqit./Telegrafi/



































