Një traditë mijëravjeçare po humbet vendin në rutinën e gjumit. Studimet tregojnë se ky ritual i thjeshtë ka ndikim shumë më të madh në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve sesa mendohet

Ninullat kanë qenë pjesë e pandashme e ritualit të gjumit të fëmijëve për mijëra vjet. Sipas BBC-së, një nga ninullat më të vjetra të dokumentuara daton rreth vitit 2000 para erës sonë dhe është ruajtur e shkruar në një pllakë të vogël balte.


Megjithatë, kjo traditë duket se po humbet popullaritetin te brezat më të rinj të prindërve. Këndimi i ninullave, dikur një mënyrë e zakonshme për t'i qetësuar fëmijët para gjumit, sot praktikohet më rrallë nga prindërit e rinj.

Prindërit më të rinj po e braktisin këtë zakon

Një sondazh i vitit 2018, i realizuar për organizatën The Lullaby Trust me më shumë se 2.000 të rritur, tregoi se vetëm 38 për qind e prindërve u këndonin ninulla fëmijëve të tyre nën moshën pesëvjeçare.

Rezultatet treguan gjithashtu dallime të konsiderueshme ndërmjet brezave. Nga prindërit që vazhdonin t'u këndonin ninulla fëmijëve, rreth 70 për qind ishin mbi 45 vjeç, çka sugjeronte se kjo traditë ishte më pak e përhapur te prindërit e rinj.

Edhe gjinia e prindit luan rol. Sipas të dhënave të paraqitura në hulumtim, nënat kishin dyfish më shumë gjasa sesa baballarët t'u këndonin fëmijëve çdo mbrëmje.

Pse është e rëndësishme t'u këndojmë fëmijëve para gjumit?

Ninullat nuk shërbejnë vetëm për t'i ndihmuar fëmijët të flenë. Hulumtimet tregojnë se ato mund të ndikojnë pozitivisht në qetësimin emocional, zhvillimin e gjuhës dhe forcimin e lidhjes ndërmjet prindit dhe fëmijës.

iStock

Qetësojnë dhe mund të lehtësojnë dhimbjen

Një studim i realizuar në spitalin pediatrik britanik Great Ormond Street tregoi se këndimi i ninullave për fëmijët e vegjël të hospitalizuar shoqërohej me ulje të ritmit të zemrës, zvogëlim të ankthit dhe perceptim më të ulët të dhimbjes.

Studiuesit vërejtën se muzika e kënduar drejtpërdrejt mund të ketë efekt qetësues te fëmijët që përballen me probleme shëndetësore.

Nxisin zhvillimin e të folurit

Sipas organizatës britanike National Literacy Trust, këndimi i ninullave, këngëve dhe vjershave ritmike është një mënyrë e rëndësishme për të mbështetur zhvillimin e gjuhës dhe aftësitë e mëvonshme të leximit.

Përsëritja e fjalëve dhe ritmi i këngës i ndihmojnë fëmijët të dëgjojnë me vëmendje, të dallojnë tingujt dhe të përpiqen të parashikojnë fjalët që vijnë më pas.

Forcojnë lidhjen emocionale

Një tjetër përfitim i rëndësishëm i ninullave është afërsia që krijohet ndërmjet prindit dhe fëmijës.

Zëri i njohur, ritmi i qetë dhe vëmendja që prindi i kushton fëmijës gjatë këndimit krijojnë një përvojë të ngrohtë, e cila ndihmon në forcimin e lidhjes emocionale.

Për më tepër, ninullat bëhen pjesë e kujtimeve të fëmijërisë. Ato mund të përcillen nga një brez te tjetri, duke ruajtur jo vetëm meloditë, por edhe ndjenjën e sigurisë dhe afërsisë që fëmijët përjetojnë pranë prindërve.

Prandaj, edhe disa minuta këndim para gjumit mund të jenë një mënyrë e vlefshme për të kaluar kohë me fëmijën, pavarësisht aftësive muzikore të prindit. /Telegrafi/