Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për përdorimin e pajisjes elektronike të identifikimit të zgjedhësve, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 9 maj 2027”.
Pas diskutimeve paraprake dhe konsultimeve mes anëtarëve në mbledhjen e zhvilluar më 20 nëntor 2026, u vlerësua që shqyrtimi i këtij akti të mos vijojë në këtë seancë, duke ia lënë administratës së KQZ-së caktimin e një date të re për rifillimin e procesit.
Propozimi i administratës dhe baza ligjore
Gjatë prezantimit të projektaktit, përfaqësuesi i administratës së KQZ-së, shpjegoi se nisma — e sjellë si propozim i Komisionerit dhe Nënkomisioneres — synon përcaktimin e mënyrës së realizimit të identifikimit elektronik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit më 9 maj 2027, në mbështetje të neneve 14 (pika 2), 20 (pika 1, shkronja “e”) dhe 22.4 të Kodit Zgjedhor.
Sipas administratës, përdorimi i pajisjeve elektronike të identifikimit (PEI) “synon të garantojë një proces identifikimi të qartë, të saktë, të sigurt dhe transparent, duke kontribuar në rritjen e standardeve të administrimit të zgjedhjeve dhe në forcimin e besueshmërisë së procesit zgjedhor”, ndërsa ligji parashikon që pajisjet e TI-së të jenë të aplikueshme për të paktën pesë procese zgjedhore të njëpasnjëshme.
Po ashtu, administrata vuri në dukje se verifikimi paszgjedhor ka ndihmuar në identifikimin e rasteve të votimit të dyfishtë, të cilat janë kallëzuar në prokurori.
Vërejtjet formale dhe kërkesa për analizë të thelluar
Gjatë diskutimeve në parim, anëtarja e Komisionit Rregullator, znj. Vukaj, evidentoi disa mangësi procedurale dhe dokumentare të projektaktit. Ajo vuri në dukje se akti ka “një handikap formal: nuk shohim as firmën e Komisionit, as firmën e Komisionerit dhe as firmën e Nënkomisioneres, gjë që cënon sigurinë e aktit pikë së pari”.
Vukaj kërkoi një matricë të akteve paraprake dhe një vlerësim të qartë mbi efektet, sigurinë dhe efikasitetin e pajisjeve PEI në zgjedhjet e shkuara, duke nënvizuar nevojën për të dëgjuar edhe përfaqësuesit politikë përpara vendimmarrjes.
Në të njëjtën linjë, anëtari Ilirjan Ristani propozoi konsultimin e drejtpërdrejtë me Nënkomisioneren Shtetërore të Zgjedhjeve — si autoriteti përgjegjës sipas Kodit Zgjedhor për teknologjinë e informacionit — për të sqaruar pozicionin dhe mbikëqyrjen e saj mbi këtë relacion.
Qëndrimi i PD kundër përdorimit të pajisjeve PEI
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu, deklaroi se opozita është kundër miratimit të këtij projektvendimi, duke argumentuar se teknologjia zgjedhore ka shfaqur probleme të vazhdueshme në tre palë zgjedhje dhe nuk gëzon besim publik.
Logu citoi raporte zyrtare të vetë KQZ-së ku një shtetas kishte votuar me karta identiteti të ndryshme duke përdorur të njëjtën shenjë gishti (“potencialisht duke votuar në emër të 27 personave të ndryshëm”), si dhe raste të votimit në dy qendra të ndryshme.
Ai përmendi defektet, ndërprerjet e sinjalit dhe kalimin në votim manual (si në zgjedhjet e vitit 2023 në 581 qendra votimi ose rreth 12% e totalit), mungesën e auditimit të pavarur të softuerit të evidentuar nga OSBE/ODIHR, si dhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi memorien e pajisjeve që nuk ruajnë regjistrat (log-et) e sistemit operativ.
Sipas PD-së, shpenzimet për pajisjet, mirëmbajtjen, operatorët dhe trajnimet kanë një raport kosto-përfitim jo në favor të procesit.
“Për sa më sipër, meqenëse teknologjia zgjedhore nuk gëzon besim të gjerë publik dhe ka shfaqur problematika në vazhdimësi, Partia Demokratike e Shqipërisë është kundër përdorimit të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 dhe i kërkon këtij komisioni të mos e miratojë projektvendimin”, u shpreh Logu.
Shtyrja e vendimmarrjes
Pas debateve mbi dallimin mes miratimit në parim të teknologjisë dhe përcaktimit të parametrave teknikë në një fazë të dytë, si dhe pyetjeve mbi mekanizmat alternativë në rast të heqjes dorë nga elektronika, anëtarët e Komisionit Rregullator ranë dakord për shtyrjen e shqyrtimit. Vendimi synon t’u japë kohë anëtarëve dhe palëve politike për konsultime të mëtejshme përpara se të merret vendimi përfundimtar.









