Në Shënjestër, News24
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të marrë në pyetje zbuluan detaje të rëndësishme mbi lëvizjet e Armand Shakajt pas zhdukjes së 34-vjeçarit Eglant Koçi. Sipas dosjes hetimore, më 5 qershor 2026, vetëm një ditë pasi Eglanti ishte raportuar i zhdukur, Shakaj është filmuar duke dalë nga lokali i tij me një thes të zi, të cilin e tërhiqte zvarrë dhe më pas e vendosi në automjetin e tij. Menjëherë pas tij është parë edhe kamarieri Enea Zyferi.
Në dosjen hetimore përshkruhet se: “Armand Shakaj del nga lokali i tij me një thes të zi, të cilin e tërheq zvarrë dhe më pas e fut në makinën e tij. Dhe menjëherë pas tij del edhe Enea Zyferi.”
Në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë, Zyferi deklaroi se Shakaj i kishte kërkuar ndihmë për të ulur automatin e lokalit, pasi do të ngarkonte një frigorifer. Më pas, sipas tij, të dy kishin shkuar për të larë makinën në lavazh.
Ai deklaroi: “Armand Shakaj më kërkoi që ta ndihmoja me uljen e automatit, pasi ai kishte për të ngarkuar një frigorifer. Dhe më pas shkuam të lanim makinën në një lavazh.”
Por ky version nuk bindi grupin hetimor. Pamjet filmike, së bashku me të dhënat e tjera të mbledhura, ngritën dyshimet se thesi i zi mund të ishte përdorur për të vendosur brenda tij trupi i pajetë i Eglant Koçit.
Policia dyshonte se Enea Zyferi kishte ndihmuar Shakajn në largimin e kufomës nga lokali. Për këtë arsye ai u ndalua si i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe gjykata vendosi fillimisht masën e arrestit me burg. Pas gjashtë muajsh, masa u zëvendësua me arrest në shtëpi, për shkak të rrethanave familjare të paraqitura prej tij.
Një tjetër element që ngriti dyshimet ishte fakti se kamerat kishin dokumentuar takimet e shpeshta mes Shakajt dhe Zyferit në ditët kur Eglanti rezultonte i zhdukur. Megjithatë, në atë fazë policisë i mungonte prova vendimtare: trupi i 34-vjeçarit.
