Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, zhvilloi një takim pune me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen. Gjatë bisedës u trajtuan tërheqja e investimeve të huaja, avancimi i Zonave Eko-Industriale dhe hapësirat e reja për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve.
Në një komunikatë, Kusari njoftoi se në takim u diskutuan hapat që po ndërmerren për të tërhequr investime, me theks të veçantë te Zonat Eko-Industriale. Këto zona shihen si një mundësi për kompanitë e huaja, përfshirë ato finlandeze, që kërkojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre.
Të lidhura
None found
Ajo vuri në dukje se mjedisi i favorshëm biznesor dhe potenciali i të rinjve janë faktorë të rëndësishëm për të joshur kompanitë ndërkombëtare.
Sipas Kusarit, ambasadorja Laaksonen solli vlerësime pozitive nga disa kompani finlandeze që tashmë investojnë në Kosovë, të cilat e vlerësojnë klimën e të bërit biznes dhe mikpritjen në vend.
Në takim u fol edhe për lidhjet mes qytetarëve të dy shteteve. Kusari bëri të ditur se mbi 22 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në Finlandë, ku sipas saj gëzojnë shkallë të lartë integrimi dhe reputacion të mirë.
Ndër mundësitë e reja të bashkëpunimit u përmend organizimi i “Ditës së Kompanive Nordike” në Kosovë, si dhe forcimi i lidhjeve me afaristët nga Kosova që veprojnë në Finlandë.
Po ashtu, ambasadorja e ftoi palën nga Kosova që vitin e ardhshëm të marrë pjesë në SLUSH, ngjarjen ndërkombëtare për startup-et dhe inovacionin që organizohet në Helsinki.
Gjatë takimit u trajtua edhe fuqizimi i grave në ekonomi dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional në këtë fushë.







