Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal pa emër për deputeten e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, dhe persona të tjerë, mes të cilëve edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj. Hetimi lidhet me disa vepra penale, përfshirë deklarimin e rremë dhe fshehjen e pasurisë, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin.
Burime pranë çështjes bëjnë të ditur se procedimi është regjistruar nga SPAK rreth fundit të tetorit, pas kallëzimeve të mbërritura në këtë institucion. Sipas të njëjtave burime, kanë nisur edhe veprimet hetimore për verifikimin e pretendimeve, ndërsa në objektin e hetimit pritet të përfshihen të paktën pesë persona të tjerë, përveç Spiropalit.
Të dhënat e referuara në kallëzim mbështeten në dokumentacion të ndryshëm, përfshirë deklarimet e pasurisë, dokumentet tregtare, ndryshimet e pronësisë në shoqëritë tregtare, transaksionet financiare, të ardhurat dhe pasuritë e luajtshme e të paluajtshme.
Syri tv iu drejtua zyrtarisht SPAK-ut me një kërkesë për informacion mbi regjistrimin e procedimit penal dhe ecurinë e hetimeve, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria e Posaçme.
Zhvillimet në SPAK vijnë në një kohë kur drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka bërë publike akuzat për presion të paligjshëm ndaj administratës tatimore nga deputetja Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj, në lidhje me kontrollet e ushtruara ndaj bizneseve familjare.
Në një deklaratë publike, Binaj bëri të ditur se kontrollet tatimore në sektorin e ndërtimit, të kryera mbi bazën e analizës së riskut dhe denoncimeve të qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte të lidhura me familjen e deputetes. Sipas tij, rezultatet e kontrolleve kanë evidentuar dyshime për evazion tatimor në përmasa të mëdha.
Drejtori i Tatimeve pretendon se pas këtyre kontrolleve, inspektorët tatimorë dhe madje edhe familjarët e tyre janë kërcënuar. Ai deklaroi se për këto raste ekzistojnë fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese, ndërsa procedurat dhe gjetjet e inspektimit janë të dokumentuara.
Binaj njoftoi gjithashtu se dosjet përkatëse po referohen në organet ligjzbatuese për veprime të mëtejshme, duke theksuar se administrata tatimore nuk do të bëjë përjashtime për asnjë subjekt të dyshuar për evazion fiskal.
Deklarata e kreut të Tatimeve vjen pas përplasjes publike me Elisa Spiropalin, e cila e kishte sulmuar mediatikisht. Binaj i kërkoi deputetes të mos e përmendë më emrin e tij dhe e paralajmëroi se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.r.k





