Gjykata Supreme e Brazilit ka rrëzuar kërkesat e fundit të mbrojtjes së Ervin Matës për të penguar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Gjykatësi Alexandre de Moraes nuk ka pranuar as argumentin e avokatëve për kërkesën e azilit dhe as pretendimin se dorëzimi i tij duhet të shtyhet deri në përfundimin e një hetimi penal që po zhvillohet në Brazil.
Dokumenti, i siguruar nga gazetari i Euronews Albania, Thimi Samarxhiu, mban datën 11 nëntor 2026 dhe është publikuar më 12 nëntor.
Në kërkesën e paraqitur pranë Gjykatës Supreme, avokatët e Matës kërkuan pezullimin e procedurës së ekstradimit, duke u mbështetur në një aplikim për azil në Brazil. Por gjykatësi Alexandre de Moraes ka argumentuar se plotësimi i një formulari elektronik nuk përbën një kërkesë zyrtare për përfitimin e statusit të refugjatit.
Sipas vendimit, procedura nuk ishte formalizuar, pasi Ervin Mata nuk ishte paraqitur personalisht pranë Policisë Federale për të konfirmuar aplikimin e tij. Për këtë arsye, autoritetet braziliane kishin refuzuar përpunimin e kërkesës, për shkak të mosrespektimit të kësaj procedure.
Në këto kushte, gjykatësi nuk ka gjetur asnjë bazë ligjore për të pezulluar ekstradimin për shkak të pretendimit për azil.
Një tjetër argument i mbrojtjes kishte të bënte me një hetim penal që po zhvillohet në Gjykatën Federale të Sao Jose dos Campos. Avokatët kërkuan që ekstradimi të mos realizohej deri në përfundimin e këtij hetimi, por edhe kjo kërkesë u rrëzua nga Alexandre de Moraes.
Në arsyetimin e tij, gjykatësi theksoi se ekzistenca e hetimeve penale në Brazil nuk përbën pengesë ligjore për realizimin e ekstradimit.
Çështja e Ervin Matës ishte shqyrtuar më herët nga Gjykata Supreme e Brazilit, e cila në gusht të vitit 2026 kishte miratuar njëzëri kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij. Pas rrëzimit të ankimeve të mbrojtjes, vendimi kishte marrë formë të prerë më 20 tetor.
Me vendimin e fundit, gjykatësi Alexandre de Moraes ka rrëzuar edhe një tjetër përpjekje të mbrojtjes për të bllokuar procedurën në rrugë gjyqësore. Ai ka urdhëruar gjithashtu njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë Publike të Brazilit.
Tashmë, përgjegjësia për vijimin e procedurave dhe realizimin e dorëzimit të Ervin Matës i takon autoriteteve ekzekutive braziliane. Megjithatë, ekstradimi mbetet i kushtëzuar nga vendimi diskrecional i Presidentit të Brazilit dhe nga garancitë që duhet të paraqesë pala shqiptare.
Ervin Mata u arrestua nga policia braziliane në kuadër të kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të një grupi kriminal.
