Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Piranjat/ Emigrantët e huaj në Shqipëri po grabisin pa kriter, ekspertët: Duhet kujdes i shtuar nga qytetarët dhe plan masash nga qeveria

21:20, 20/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vitet e fundit, migrimi masiv i të rinjve nga të ashtuquajturat vendet e botës së tretë, kryesisht Afrika dhe vendet e Lindjes, është kthyer në një fenomen shumë të përhapur, i nxitur kryesisht nga luftërat, varfëria dhe mungesa e stabilitetit politik.

Pjesa më e madhe e këtyre personave, synojnë vendet e Bashkimit Europian, atje ku iu garantohet një jetë më të sigurt dhe me standarde më të mira. Por, kufizimet ligjore për hyrjen në territorin e BE-së kanë shtyrë një pjesë të emigrantëve të përdorin rrugë të paligjshme, duke u bërë shpesh viktima të rrjeteve të trafikimit të emigrantëve.

Në këtë kontekst, Shqipëria është shndërruar në një vend tranzit, që emigrantët e përdorin si trampolinë për të mbërritur në vendet ku ata dëshirojnë.

Nisur nga kjo rëndësi që merr vendi ynë si portë hyrëse në shtetet Europiane, individë të paskrupullt, por edhe grupe të mirëorganizuar trafikantësh, shpesh të fshehur pas agjensive të punësimit, sjellin persona në Shqipëri me premtimin se do t’i dërgojnë më pas në Europë, por i lënë në mëshirë të fatit, rrugëve të Shqipërisë.

Megjithatë ka edhe një katëgori tjetër emigrantësh që po shtohen dita ditësh për shkak të politikave nxitëse të qeverisë ndaj emigracionit. Ju kujtojmë se disa ditë më parë teksa flisnim për premtimet e pambajtura të Edi Ramës në vitin 2018, lidhur me Paktin për Universitetin, mësuam se dy rezidenca studentore të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ishin mbushur me shtetas të huaj, kryesisht India. Këta persona janë akomoduar dhe punojnë me dokumente të rregullta në Tiranë, e megjithatë përbëjnë një problem vërtet serioz për të rinjtë dhe të rejat që bashkëjetojnë me ta në këto rezidenca.

“Fillimisht lidhen me trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore, me mashtrimin, me vjedhjet, me shpërndarjen e lëndëve narkotike, me çështjen e prostitucionit dhe kanë bërë që Policia t'i ketë target tani sepse këto vepra penale janë kryer, kanë tendencën për t'u kryer dhe janë rrezik për sigurinë”, thotë ish-efektivi i RENEA-s, Gert Metani.

“Një pjesë e përdorin për bërjen e dokumenteve duke e quajtur Shqipërinë një vend transit, kalimtar, ose një trampolinë, për të kaluar në vendet e BE-së, ose persona të tjerë që bëjnë biznese fiktive dhe nuk dihet se për çfarë janë realisht në këtë territori”, shton eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Sipas ekspertëve të sigurisë, kur shqetësimi është real ndaj atyre që disponojnë dokumente të rregullta, çfarë mund të themi për ata që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme?

“Është e rrezikshme sepse janë njerëz të paidentifikuar. Kryesisht flas për ato që vijnë nga vende që kanë eksperienca ose mbartin rreziqe të personave që nuk krijojnë vetëm dhunë, por mund të jenë pjesë edhe të akteve terroriste. Pra mund të jenë të stimuluar, mbas disa vitesh ata mund të bëhen aktivë dhe mund të përdoren në territor për qëllimet e tyre”, deklaron z.Softa, dhe lind pyetja, a duhet të përbëjë ky fluks emigrantësh, ku gjysma janë të paidentifikuar, një shqetësim real për qytetarët shqiptarë?

“Meqë ka një kaos dhe një hyrje ndonjëherë të pakontrolluar të të huajve patjetër që bëhet dhe ngrihet një shqetësim, për sigurinë kombëtare, jetët e qytetarëve dhe pronën e tyre”, thotë ai.

“Ky kriminalitet i theksuar te këto grupe, me patjetër do të jetë në rritje, sepse vetë personat që janë rezidentë këtu, mund të punojnë ligjërisht ose në mënyrë të paligjshme, kanë tendencën ta njohin vendin më me detaje. Fitimi i shpejtë është tendenca globale e kapitalizmit, kështu që ato do të shkojnë drejt një fitimi të shpejtë që vjen nga shpërndarja e narkotikëve, ushtrimi i prostitucionit, aktivitetet e tjera të paligjshme që kanë të bëjnë me mashtrimin, me bursat, edhe me trajtimin e shërbimit të klientit që është akoma i pranishëm edhe në territorin shqiptar nga grupet shqiptare, por mund t'i kalojë shumë shpejt personave që vijnë nga këto grupe, siç ka ndodhur me persona nga India, nga Pakistani, nga Bangladeshi”, deklaron Metani.

“Qytetari nuk duhet të merakoset vetëm nga të huajt, duhet të merakoset nga çdo gjë. Pra kur themi siguria e jetës, siguria e pronës, siguria e banesës, duhet të jetë një siguri totale sepse nuk është e thënë nacionaliteti apo ngjyra e personit që mund të ketë synime ndaj tyre. Por sigurisht ndaj të huajve, jo për racizëm, duhet të kemi një kujdes të shtuar për faktin se janë persona të paidentifikuar dhe si të tillë mund të futen dhe të dalin nga territor për të ushtruar dhe për të kryer krime”, sqaron eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Duhet ta theksojmë se kur flitet për këto krime të vogla, bëhet fjalë për individë dhe jo për masën e madhe të emigrantëve, shumica të sistemuar me punë dhe pa asnjë problem me qytetarët dhe autoritetet, por sidoqoftë, për të parandaluar një tendencë në rritje të kësaj kategorie, ndoshta një plan masash është i nevojshëm. Për të evituar më të keqen.

“Shqipëria duhet të ketë politika edhe më shtrënguese jo vetëm në kuptimin e hyrjes, por edhe të identifikimit. Dhe nuk është mirë që Shqipëria, për një vend të vogël që ne e njohim njëri-tjetrin, kur në pamundësi për të frenuar këtë fenomen që mund të bëhet si një fenomen shqetësues pastaj për qytetarët, shkojnë në vetëgjyqësi. Sepse shqiptarët në momentin që i prek nderin, i prek familjen, i prek pronën, patjetër kalojnë pastaj në vetëgjyqësi. Prandaj të mos shkojmë në këto pika, kontrolli duhet të jetë i madh”, sqaron Softa, pa harruar pikat kufitare.

“Dhe duke qenë se këto pika mund të fuqizohen, pa diskutim që Policia e Shtetit ka për detyrë vetëm ngritjen e kapaciteteve, që punonjësit e saj sot të jenë akoma më tepër, pra mos jenë 3000 në policinë kufitare, po të jenë akoma më shumë, të jenë më të përgatitur, të kenë logjistikë dhe pajisje më të mira dhe t'i shërbejnë qëllimit që është qëllimi i parandalimit dhe evidentimit të çdo elementi që rrezikon territorialitetin dhe sigurinë tonë kombëtare”, përfundon Gert Metani.

Sipas ekspertit Softa, veprimet e shtetasve të huaj në Shqipëri, mund të kthehen në diçka më serioze dhe më të madhe se krimet ordinere që ata bëjnë.

“Prirja dhe kujdesi ndaj vendeve të origjinës nga ata vijnë duhet të jetë gjithmonë objektiv kryesor për sigurinë kombëtare, jo thjesht për akte dhune apo grabitjesh, por nëse ata mund të aktivizohen ose mund të financohen nga shtete terroriste për t’i përdorur ata në momente të caktuara si kamikaze për të krijuar problematika në një vend anëtar të NATO-s, por njëkohësisht dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE”, përfundon ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco