Raketa ruse bie në Poloni gjatë sulmeve ndaj Ukrainës, Tusk: Nuk duket të jetë rastësi
Një raketë kruz ruse është ndër tri objektet që kanë shkelur hapësirën ajrore të Polonisë të premten në mëngjes, ka bërë të ditur Qeveria polake. Kryeministri Donald Tusk ka deklaruar se incidenti nuk duket të ketë qenë i rastësishëm, pasi në rajon po zhvilloheshin ushtrime ushtarake të vendeve aleate të Ukrainës.
Nga incidenti nuk është raportuar për persona të lënduar apo dëme materiale. Megjithatë, Varshava e ka cilësuar atë si “provokim” nga Moska.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka bërë të ditur se raketa e tipit Kh-101 ka rënë në një zonë rurale në Nowy Lipowiec, në juglindje të Polonisë, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Raketa, e projektuar për goditje precize, është rrëzuar rreth orës 06:30. Një banore e zonës ka treguar se ishte duke përgatitur fëmijët për shkollë kur dëgjoi një tingull fishkëllime dhe më pas një goditje të rëndë.
Momenti i rënies së raketës është regjistruar edhe nga një kamerë në një fermë. Autoritetet polake kanë bërë të ditur se nuk ka pasur rrezik për banorët.
Sipas ministrit Kosiniak-Kamysz, një tjetër objekt i dyshuar si raketë ka rënë pranë Rudnik nad Sanem, në perëndim të vendit, ndërsa një dron me motor reaktiv është rrëzuar në jug, afër Mołodycz.
Ministri ka paralajmëruar se do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë pas shkeljes së hapësirës ajrore polake.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dënuar “shkeljet e rënda të hapësirës ajrore polake”, duke bërë të ditur se avionët luftarakë të aleancës janë ngritur në ajër si kundërpërgjigje.
“Ky incident është qartësisht i rrezikshëm – pasojë e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, ka deklaruar Rutte, i cili pritet të vizitojë Varshavën të shtunën.
Në juglindje të Polonisë po zhvillohet aktualisht stërvitja ushtarake “Koalicja 2026”, e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, ku marrin pjesë 11 shtete të koalicionit të vendeve të gatshme për të mbështetur Ukrainën në rast të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Kryeministri Tusk ka vënë në pikëpyetje rastësinë e rënies së objekteve pranë vendit ku po zhvillohen manovrat ushtarake.
“Nuk është rastësi që këto objekte ranë pranë vendit ku po zhvillohen manovrat ushtarake të ‘Koalicionit të të Gatshmëve’, të mbështetura nga trupat polake në Nowa Dęba”, ka deklaruar Tusk.
Disa orë më vonë, ministrat e Mbrojtjes të pesë vendeve pjesëmarrëse në koalicion – Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Polonisë, Estonisë dhe Lituanisë – vizituan poligonin ku po zhvillohej stërvitja.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e cilësoi incidentin si një tjetër provokim rus, që sipas tij synon të përçajë Evropën dhe të pengojë aleatët e Ukrainës që ta mbështesin atë.
Edhe kryeministri britanik Andy Burnham e quajti incidentin “krejtësisht të papranueshëm”, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, shprehu solidaritetin me popullin polak dhe bëri thirrje që Rusia të ulet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Shkelja e hapësirës ajrore polake ndodhi një ditë pas samitit të Koalicionit të të Gatshmëve në Berlin, ku 40 shtete u zotuan për vazhdimin e mbështetjes ndaj Kievit.
Incidenti vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës. Të premten, sulmet me raketa dhe dronë vranë të paktën tetë persona, ndërsa shënjestruan infrastrukturën energjetike dhe të transportit në disa qytete ukrainase.
Lufta në Ukrainë ka pasur edhe më herët pasoja përtej kufirit polak. Në korrik, një raketë kruz kishte rënë në territorin e Polonisë, duke krijuar një krater me diametër rreth 10 metra.
Ndërkaq, në nëntor të vitit 2022, dy fermerë polakë u vranë nga një raketë që besohet të ketë qenë pjesë e sistemit ukrainas të mbrojtjes ajrore, e lëshuar në përgjigje të një sulmi rus.
Edhe Moldavia ka raportuar shkelje të hapësirës së saj ajrore të premten, pasi një dron kaloi për një kohë të shkurtër në territorin e saj gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës. Ministria moldave e Mbrojtjes ka regjistruar 118 shkelje të tilla që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.















