Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Artistët e 'atyre' dhe të 'këtyre' - Monolog nga Rita Gjeka

21:35, 20/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mirëmbrëma.

Jam Rita Gjeka, aktore.

Kam 40 vjet në teatër, dhe prapë nuk di t'ju them çfarë profesioni kam. Sepse profesioni i aktorit sot nuk është më aktrimi.

Është përkatësia.

Shumë veta mendojnë se aktorët nuk kanë kurajë të kenë një qëndrim politik. Unë besoj të kundërtën. Aktorët sot nuk e kanë luksin të mos kenë një qëndrim politik. Ata janë të detyruar të kenë një, të vetëm: me ata që qeverisin. Cilët do qofshin.

Te ne ka dy lloj aktorësh: aktorët e “atyre” dhe aktorët e “këtyre”.

Aktorët e “këtyre” marrin projektet. Duket sikur nuk mund të bëhet projekt pa ta.

Po qëllove që je aktore e “atyre”? Të fshijnë me gomë!

Por harrojnë që goma nuk mund të funksionojë njësoj për gjithkënd. Ka goma që sado të përdoren nuk të fshijnë dot nga mendja e spektatorit. E kur spektatori nuk të harron, nuk të duhen as medaljet.

Pastaj ndërrohet pushteti. Gomën e marrin të tjerët. Ndërrojnë rolet – vetëm se jo në skenë, por në jetë. Fshihen këta, dhe ata që ishin të fshirë fillojnë të jetojnë si artistë. Deri në rokadën e radhës.

Edhe një punëtore fabrike ka të drejtën e një vlerësimi në fund të karrierës. Aktorja, nëse është e “atyre”, jo. Asnjë faleminderit. Asnjë lule, qoftë edhe e shtrembër.

Ne jemi një familje me dy veta që jetojmë në dy shtëpi, në dy shtete. Unë në Shkodër, vajza në Padova. Kur flasim në telefon, ndonjëherë e pyes: "Kur po kthehesh?" Por ajo e lë pyetjen në ajër. Sepse përgjigjen unë e di. "Mamë, harroje që vij."

Ajo studion psikologji, dhe nuk i duhet shumë me e lexue Shqipërinë. Mjafton të lexojë mosmirënjohjen e antivlerave, karshi vlerave. Që është në thelb fati i aktorit. I çdo aktori.

Çfarë zgjedhjeje do të bëjnë aktorët që po vijnë?
Ne po u mësojmë që artist je, nëse u thur lavde “këtyre”, nëse bën lajka e sharje me detyrim. Dhe pastaj, kur ndërrohen pushtetet, “atyre”.

Por gomën nuk e mban dikush i plotfuqishëm. E mbajmë ne. Sa kohë që aktorët e “atyre” dhe aktorët e “këtyre” i pranojnë këto dy role si diçka normale, asgjë nuk do të ndryshojë kurrë. Sepse rolet i ndajnë ata. E heshtjen e zgjedhim ne.

Unë kam qëlluar të jem aktore “e atyre”.

Dhe pres vetëm një gjë: nëse një ditë më shohin thjesht si aktore, e jo si kolateral i luftës së tyre për pushtet, ndoshta… ndoshta vajzës sime do t’i mbushet mendja të kthehet.

Dhe rolin e nënës që e pret, e di përmendësh.

“Ta dish se nana po ju pret”

Eja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco