Një deputet liberal i New South Wales në Australi i ka propozuar nga parlamenti martesë partneres së tij, vetëm pak javë pasi kishte njoftuar largimin nga politika.

Jordan Lane po mbante fjalimin e tij të lamtumirës në parlament, kur i drejtoi një pyetje të fundit një gruaje që ndodhej në publik, Natalie, partneres së tij prej më shumë se 10 vitesh.

“Kryetar, pyetja ime e fundit si deputet i Ryde është për dashurinë e jetës sime, Natalie”, tha ai.

Me një buzëqeshje në fytyrë dhe mes thirrjeve të habitura që jehuan në të gjithë sallën, Lane nxori një unazë fejese.

“A do të martohesh me mua?”

Salla shpërtheu në brohoritje, ndërsa ai iu afrua Natalie-t, i vendosi unazën në gisht dhe e puthi.

“Dëshiroj të shënohet në procesverbalin parlamentar se ajo tha ‘po’”, u shpreh ai.