Drejtoria Vendore e Policisë Kukës i është përgjigjur lajmit të shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohej se një i ri ishte rrëmbyer dhe mbajtur në një pyll pas një konflikti me dy persona. Policia e ka cilësuar këtë pretendim si të pavërtetë dhe ka sqaruar se bëhet fjalë për një përplasje fizike mes tre shtetasve.
Sipas policisë, më 20 nëntor shtetasi me inicialet V. D. u përfshi në një konflikt fizik me dy persona në qytetin e Kukësit, për motive të dobëta, dhe për këtë rast kishte bërë kallëzim në polici.
Të lidhura
None found
Më pas, teksa po udhëtonte me automjetin e tij në rrugën e Hasit, dy personat me të cilët ishte konfliktuar i dolën përpara dhe e goditën atë dhe automjetin me sende të forta.
Në automjetin e tij ndodhej edhe një punonjës policie, i cili ndërhyri për të neutralizuar situatën dhe kërkoi mbështetjen e shërbimeve të tjera policore.
Pas ndërhyrjes së efektivit, dy personat, të identifikuar si S. J. dhe S. J., xhaxha e nip, u larguan nga vendngjarja dhe janë shpallur në kërkim. Policia bën me dije se po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.







