Qeveria propozon krijimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat (DVKD), një platformë elektronike që synon të thjeshtojë procedurat e importit, eksportit dhe tranzitit, duke bashkuar në një sistem të vetëm formalitetet doganore dhe jodoganore. Sipas projektligjit të propozuar, bizneset do të kenë një pikë të vetme kontakti për dorëzimin e dokumentacionit, ndërsa lejet, licencat dhe autorizimet e nevojshme do të verifikohen në mënyrë elektronike nga institucionet përgjegjëse. Portali qeveritar “e-Albania” do të shërbejë si ndërfaqja kryesore për operatorët ekonomikë, duke u mundësuar atyre të dorëzojnë një grup të integruar të dhënash, që përfshin deklaratat doganore dhe dokumentet për formalitetet e tjera ligjore. Një nga ndryshimet kryesore që sjell ky sistem është shmangia e paraqitjes së përsëritur të dokumenteve. Lejet, licencat dhe autorizimet do të shkëmbehen elektronikisht mes institucioneve dhe do të jenë të aksesueshme nga Doganat, pa qenë e nevojshme që bizneset t'i dorëzojnë sa herë kryejnë procedura. Përgjegjësia për funksionimin e sistemit do t'i takojë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ndërsa AKSHI do të kujdeset për administrimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës teknike, sigurinë kibernetike dhe ndërveprimin elektronik ndërmjet institucioneve. Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e një Komiteti Mbikëqyrës, ku do të përfaqësohen institucionet shtetërore dhe komuniteti i biznesit. Ky organ do të ketë rol në koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të platformës.