Trump paralajmëron kompanitë amerikane: Taksa të rënda nëse ndërtoni qendra të dhënash jashtë vendit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do t’u lejojë kompanive amerikane të ndërtojnë qendra të dhënash jashtë vendit, duke paralajmëruar se Kina mund të përfitojë nga investime të tilla dhe duke kërcënuar me taksa të rënda për firmat që veprojnë ndryshe.
Trump theksoi se do të luftojë fort që qendrat e të dhënave të ndërtohen brenda Shteteve të Bashkuara, me argumentin se vendi duhet të ruajë kontrollin mbi infrastrukturën kritike që mbështet industrinë e inteligjencës artificiale.
“Nuk do ta lejoj sepse Kina do t’i marrë të gjitha”, u shpreh Trump, duke shtuar se kompanitë amerikane që ngrenë qendra të dhënash jashtë vendit do të përballen me një “taksë të jashtëzakonshme”.
“Unë dhe Xi ramë dakord që do të vendosim masa mbrojtëse të përbashkëta për inteligjencën artificiale“, tha Donald Trump
Gjatë prononcimeve të tij, presidenti amerikan shprehu gjithashtu vlerësim për kompaninë e inteligjencës artificiale Anthropic, duke thënë se ka “shumë respekt” për të.
Sa i përket bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Pekinit në fushën e inteligjencës artificiale, ai bëri të ditur se ai dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë rënë dakord për të vendosur kufizime dhe masa mbrojtëse të përbashkëta mbi këtë teknologji.




