Katër stinët, me ngjyrat, dritën dhe ndryshimet që sjellin në natyrë, janë shndërruar në afro 40 peizazhe në telajo, në të cilat nuk mungojnë as natyrat e qeta. Prej ditësh, piktori nga Elbasani Sadik Kasa e fton publikun në një udhëtim artistik përmes ekspozitës “Stinët”, e hapur në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës. Punimet sjellin pamje të natyrës shqiptare, duke nisur nga peizazhet e gjelbra të pranverës dhe ngjyrat e verës, te tonalitetet e vjeshtës dhe qetësia e dimrit. Në këtë koleksion, ngjyrat dhe loja e dritës janë elementet që i japin jetë secilës tablo, ndërsa përmes tyre artisti përcjell edhe emocionet që ngjall natyra në çdo stinë.