Pas vrasjes së Eglant Koçit, Armand Shakaj besohet se u angazhua për të fshehur çdo gjurmë të krimit, duke e transportuar trupin e pajetë me automjetin e tij “Porsche Cayenne”.
Nga të dhënat e dosjes hetimore rezulton se fillimisht ai e nxori trupin nga lokali brenda një thesi dhe qeseve të zeza, ndërsa dyshohet se e mbajti në makinë për më shumë se 24 orë.
Të lidhura
None found
Më pas, Shakaj mori një karrotrec dhe e çoi automjetin deri në zonën e Ibës, me pretendimin se makina kishte pësuar defekt. Prej andej, dyshohet se ai u largua me automjetin e tij dhe e çoi trupin në vendin ku më vonë u gjet në një humnerë në Cerrunjë.
Automjeti u sekuestrua pas ngjarjes, pasi më parë ishte dërguar në lavazh nga kamarieri i tij. Në brendësi të tij u vunë re njolla që mendohet se ishin gjak si dhe mjete pune, përfshirë një lopatë me baltë.
Megjithatë, çështja e Eglant Koçit nxjerr në pah edhe një dukuri më të gjerë kriminale në Shqipëri: shfrytëzimin e kriptomonedhave dhe fajdeve për të lëvizur para jashtë sistemit bankar.
Sipas analizës së emisionit “Në Shënjestër”, tregu informal i huadhënies kontrollohet në një pjesë të rasteve nga para me burim të paligjshëm, të cilat më pas investohen në sektorë si ndërtimi, minierat dhe forma të ndryshme investimi.
Fajdet, me norma të larta interesi dhe marrëveshje që shpesh kalojnë edhe në zyra noterie, kanë sjellë falimentimin e bizneseve dhe konflikte të rënda, të cilat sipas ekspertëve mund të përfundojnë deri në rrëmbime dhe vrasje.
Ndërkohë, kriptomonedhat po përdoren gjithnjë e më shumë për të menaxhuar dhe pastruar të ardhurat që vijnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Një shembull është operacioni i SPAK-ut i vitit 2024, kur u sekuestruan 11 milionë dollarë në kriptomonedha Tether dhe në llogari Binance. Pas analizimit të transaksioneve, u identifikuan edhe rreth 15 milionë euro të tjera, duke e çuar vlerën totale të kriptomonedhave të sekuestruara në rreth 26 milionë euro.
Zbulimi i këtyre shumave erdhi pas deshifrimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC mes Franc Çopjas dhe Maklen Micit. Rasti i Eglant Koçit mbetet një tjetër histori ku hetimet dyshojnë se kriptovalutat dhe fajdet mund të kenë luajtur rol në një konflikt që u mbyll me humbjen e një jete njerëzore.






