Për dy ditë me radhë, kryetari i grupit parlamentar “Serbia fiton”, Aleksandar Vuçiq, mbajti fjalime të gjata në Kuvendin e Serbisë, gjatë të cilave bëri edhe fyerje në drejtim të Listës Studentore.

Megjithatë, pasi Aleksandar Çupiq, kandidat i Listës Studentore, u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit, Vuçiqit iu tërhoq vërejtja dhe iu dha paralajmërim për shkak të gjuhës fyese.


Çupiq e paralajmëroi disa herë Vuçiqin që të kthehej te tema e rendit të ditës, ndërsa më pas i shqiptoi edhe vërejtje zyrtare.

Sipas rregullores, deputeti që merr një vërejtje dënohet me ndalimin e 10 për qind të pagës. Për dy vërejtje, ndalesa arrin në 20 për qind, ndërsa vërejtja e tretë sjell përjashtimin nga seanca dhe ndalimin e 50 për qind të pagës.

Vuçiqi mori edhe paralajmërim për shkak të mënyrës fyese të komunikimit me disa deputetë të Listës Studentore.

Sipas mediumit serb Nova.rs, nga shprehja e fytyrës së Vuçiqit dukej se vërejtjet, paralajmërimi dhe fjalët e Çupiqit nuk i pritën mirë, shkruan nova.rs.

Gjatë seancës, Vuçiqi u ankua se askush në jetën e tij nuk e kishte ndërprerë aq shumë herë. Ai përmendi edhe fjalimin e kryetarit të grupit parlamentar të Listës Studentore, Jovo Bakiq, dhe i kërkoi Çupiqit që të mos e ndëshkonte me vërejtje.

“Udhëheqësi i grupit tuaj parlamentar bërtiste, bërtiste në mënyrë histerike, ulërinte dhe çirrej. Ju lutem, mos më tërhiqni vërejtje, ju lutem si Zotin, unë vetëm po i përcjell fjalët e tij”, tha Vuçiqi.

Çupiq iu përgjigj: “Nuk dua t'ju tërheq vërejtje, vetëm dua të sqaroj, për hir të së vërtetës, se në atë moment unë nuk po drejtoja seancën”.

“Ah, në rregull, kjo është e mençur. Bravo...”, komentoi Vuçiqi.

Çupiq u kishte shqiptuar vërejtje edhe ish-kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq, deputetit të SNS-së, Milenko Jovanov, si dhe deputetëve Samir Tandir dhe Millosh Stojkoviq, për shkak të largimit nga tema e rendit të ditës dhe bërtitjeve në sallë.

Vërejtje kishte marrë edhe vetë Jovo Bakiq, kryetar i grupit parlamentar “Studentët fitojnë”. /Telegrafi/