Kryeministri Edi Rama mbledh sot Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, në një moment kur forcat politike po përgatiten për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Në qendër të diskutimeve pritet të jetë organizimi i socialistëve për garën elektorale në kryeqytet.
Mbledhja vjen në një periudhë kur partitë politike duhet të përcaktojnë strategjitë, të mobilizojnë strukturat dhe të nisin përgatitjet për përzgjedhjen e kandidatëve që do të përfaqësojnë secilën forcë politike në zgjedhjet për bashkitë.
Për Partinë Socialiste, Tirana mbetet një nga betejat më të rëndësishme elektorale, jo vetëm për numrin e madh të votuesve, por edhe për peshën politike që ka drejtimi i bashkisë më të madhe në vend.
Në këtë kuadër, takimi pritet të shërbejë për diskutimin e organizimit të strukturave socialiste në kryeqytet dhe përgatitjen e tyre për fushatën e ardhshme.
Një nga çështjet që mbetet e hapur është edhe kandidatura me të cilën socialistët do të hyjnë në garën për Bashkinë e Tiranës. Deri tani nuk ka një emër të konfirmuar zyrtarisht dhe mbetet për t’u parë nëse Rama do të japë sinjale për përzgjedhjen e kandidatit gjatë mbledhjes së Asamblesë.
Takimi pason edhe mbledhjen e zhvilluar këtë të premte nga Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku u diskutuan përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe forcimi i komunikimit të socialistëve me qytetarët.
