Melania Trump, Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, ka folur për mënyrën si funksionon grupi i njerëzve që rrethojnë presidentin Donald Trump, duke ngritur shqetësimin se shumë prej tyre nuk i kundërshtojnë dot vendimet apo qëndrimet e tij.
Në një intervistë të shkurtër të përfshirë në dokumentarin e ri ku ajo është figura qendrore, Melania tha se bashkëshorti i saj e sheh ndonjëherë si të vështirë, por ajo preferon të jetë e sinqertë me të në çdo rast.
Të lidhura
None found
“Donald thotë se jam e vështirë, por unë i them të vërtetën. Më duket se ndonjëherë ka shumë njerëz rreth tij, ka shumë persona që i thonë vetëm ‘po’, dhe kjo nuk është e shëndetshme”, u shpreh ajo.
Ajo nuk dha emra konkretë dhe as nuk e bëri të qartë nëse në grupin që përmendi bëjnë pjesë edhe bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit.
Kur u pyet në tapetin e kuq nëse do t’i mungojë Shtëpia e Bardhë pas mbarimit të mandatit të bashkëshortit, Zonja e Parë e SHBA u përgjigj se familjes Trump i pëlqen rezidenca presidenciale.
“Ne e duam Shtëpinë e Bardhë. Është një vend shumë i bukur”, tha ajo.
Megjithatë, gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, Melania ka kaluar relativisht pak kohë në Shtëpinë e Bardhë, duke e ndarë jetën e saj midis Palm Beach, Trump Tower në Nju Jork dhe Uashingtonit.
Në dokumentar, ajo nënvizon rëndësinë e hapësirës personale dhe të qëndrimit larg vëmendjes së vazhdueshme.
“Vetmia është e rëndësishme”, thotë bashkëshortja e presidentit amerikan, duke shtuar se “nuk mund të qëndrosh pa ndërprerje pranë atij personi”.
Lidhur me planet e saj pas përfundimit të mandatit të dytë të Trumpit, ajo nuk ofroi hollësi.
“Është ende herët për të folur për këtë”, u përgjigj ajo shkurt.
Gjatë bisedës me gazetarët, Melania Trump foli edhe për perceptimin që publiku ka për të, duke pretenduar se një pjesë e njerëzve vazhdojnë të kenë një imazh të gabuar për të.
“Ndoshta ata nuk duan vërtet të më njohin, ose nuk i kushtojnë vëmendje asaj që bëj. Preferojnë të merren me thashetheme. Nëse do të shikonin atë që bëj konkretisht, besoj se do të zbulonin diçka shumë më të rëndësishme”, theksoi ajo.
Këto deklarata janë pjesë e dokumentarit të ri që ofron një pamje mbi jetën private, angazhimet dhe rolin e Melania Trump si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara.








