E shtunë, 21 Nëntor 2026 Megi dhe Bianka deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Rama mbledh Asamblenë e PS-së sërish pas një jave, çfarë pritet të diskutohet

Kryeministri Edi Rama mbledh këtë të shtunë Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet kryeqytetit, ku socialistët synojnë të përcaktojnë strategjinë për garën e ardhshme për bashkinë.

Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 11:00. Pritet që takimi të zhvillohet me dyer të mbyllura, megjithëse deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për këtë aspekt.

Takimi i sotëm vjen një ditë pas mbledhjes që Rama zhvilloi në Kryeministri me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve. Në qendër të diskutimeve ishin përgatitjet për zgjedhjet lokale, organizimi elektoral dhe intensifikimi i punës së strukturave të partisë.

Gjatë takimit, kreu i qeverisë u ka kërkuar përfaqësuesve socialistë të shtojnë angazhimin në terren dhe të forcojnë komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, duke mos lënë pas dore adresimin e shqetësimeve të tyre. Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë edhe Prania Besnike.

Reklamë

Përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2027 dhe organizimi i strukturave në Tiranë kanë qenë gjithashtu në fokus të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, të zhvilluar më 14 nëntor në Gjirin e Lalzit.

Gjatë asaj mbledhjeje, Rama vendosi shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi i PS-së në Tiranë, ndërsa për drejtimin organizativ të socialistëve në kryeqytet u caktuan Ervin Demo dhe Albana Koçiu.

Mbledhja e sotme shihet në kuadër të vijimit të organizimit të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku gara për Bashkinë e Tiranës pritet të jetë një nga sfidat kryesore politike për shumicën qeverisëse.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.