Departamenti amerikan i Bujqësisë dhe FBI-ja goditen nga sulmet kibernetike
Hakerët kanë ndërhyrë në sistemet e Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së dhe të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), raportojnë mediat amerikane, në mes të një vale të fundit ndërprerjesh të mëdha teknologjike në të gjithë vendin.
Incidentet u raportuan fillimisht të premten nga NBC News dhe CNN, ndërsa mbetet e paqartë nëse sulmet janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kush fshihet pas tyre.
Këto ndërhyrje vijnë pas një sërë defektesh të mëdha teknologjike në javët e fundit që kanë paralizuar udhëtimet, komunikimet dhe tregtinë elektronike për miliona përdorues në Shtetet e Bashkuara, duke prekur madje edhe një rrjet tepër sekret në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA).
Presidenti amerikan Donald Trump është përpjekur të qetësojë opinionin publik, ndërsa zyrtarët janë shprehur se ndërprerjet e ndryshme të shërbimeve nuk kanë lidhje me veprimtari kriminale. Sipas raportimit të NBC News, i cili citon dy ish-zyrtarë të Departamentit të Bujqësisë (USDA), ky institucion i ka njoftuar punonjësit se një sistem i përdorur për lehtësimin e pagesave për fermerët ka qenë shënjestër e një sulmi kibernetik.
Ish-zyrtarët paralajmëruan se hakerët mund ta përdorin sistemin e pagesave si një derë të fshehtë për të pasur qasje në materiale shumë më të ndjeshme.
Njëri prej tyre theksoi se USDA merret me një sërë çështjesh të rrezikshme biologjike dhe se nëse një kundërshtar apo konkurrent do të kishte qasje në ato të dhëna, do të mund t’i përdorte kërkimet shkencore të SHBA-së kundër vetë vendit.
Ndërkohë, CNN bëri të ditur se FBI-ja është hakuar për herë të dytë që nga muaji shtator. Agjencia federale po heton një ndërhyrje të dyshuar të hakerëve në Qendrën Kombëtare të Informacionit Kriminal (NCIC), e cila përmban një bazë të dhënash mbarëkombëtare që lidh organet federale, shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit për ndarjen e informacioneve mbi urdhër-arrestet dhe verifikimet e të shkuarës kriminale.
Një ish-zyrtar i FBI-së deklaroi për CNN se oficerët e policisë në të gjithë vendin mbështeten çdo ditë te sistemi NCIC për të identifikuar personat në kërkim dhe për të kontrolluar urdhër-arrestet, duke shprehur shqetësimin se hakerët mund të cenojnë saktësinë e këtyre të dhënave jetike për sigurinë publike.
Ndërhyrjet e zbuluara së fundmi në FBI dhe USDA janë cilësuar si sulme të mirëfillta kibernetike, të cilat dallojnë nga ndërprerjet teknike që goditën së fundmi platformën Microsoft Outlook dhe Administratën Federale të Aviacionit (FAA).
Në shtator, grupi i hakerëve i njohur si “ShinyHunters” kishte vënë në shënjestër të dhënat personale të punonjësve nga një faqe interneti e FBI-së për punësim. Si pasojë e kritikave të shtuara për valën e ndërprerjeve të mëdha teknologjike, Shtëpia e Bardhë shkarkoi këtë javë drejtorin kombëtar të sigurisë kibernetike, Sean Cairncross.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



