Tre shtetas shqiptarë janë dënuar në Britaninë e Madhe pas një hetimi të gjatë policor që zbuloi përfshirjen e tyre në trafikun e kokainës dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Të dënuarit janë Daniela Sopiku, 26 vjeçe; Hysen Sopiku, 21 vjeç; dhe Alvaro Vrapi, 18 vjeç. Autoritetet thonë se ata dyshohen se ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që shpërndante kokainë në disa qytete të qarkut Wiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Daniela Sopiku, e cila më parë pranoi fajësinë për posedimin e dokumenteve të falsifikuara me qëllim përdorimin e paligjshëm, pranoi gjithashtu akuzën për përfitimin dhe përdorimin e pasurive që rridhnin nga aktiviteti kriminal. Ajo u dënua me 9 muaj burg. Hysen Sopiku pranoi të gjitha akuzat, përfshirë shpërndarjen e lëndëve narkotike të klasit A, posedimin e pasurive kriminale dhe posedimin e kokainës me qëllim shitjen; u dënua me 3 vite burg. Alvaro Vrapi u shpall fajtor pas pranimit të akuzave për posedimin e dokumenteve të falsifikuara dhe përfshirjen në shpërndarjen e lëndëve narkotike, dhe u dënua me 28 muaj burg.
Hetimi i policisë përfshinte përdorimin e metodave të fshehta dhe zbuloi veprimtarinë e grupit në shpërndarjen e kokainës në disa zona të Wiltshire. Në qershor, Hysen dhe Alvaro u arrestuan gjatë një kontrolli, teksa gjendeshin brenda një automjeti Nissan Qashqai duke kryer transaksione droge. Gjatë kontrolleve u gjetën sasi droge me vlerë totale mbi 11,000 paund në vende që personat kishin vizituar atë ditë, konkretisht në Biddestone dhe Giddeahall pranë Chippenham. Në të njëjtën ditë Daniela u arrestua në zonën Old Town; në ambientet e lidhura me të u gjetën pajisje për aktivitetin e drogës, shuma të konsiderueshme parash, sende luksoze markash dhe dokumente identifikimi të falsifikuara, përfshirë një pasaportë italiane të konfirmuar si e falsifikuar nga autoritetet e emigracionit.
Hetimet financiare treguan se tre të pandehurit kishin të ardhura të pajustifikuara mbi 53,000 paund. Sipas policisë, asnjëri nuk kishte burim të ligjshëm të të ardhurave dhe të tre ndodheshin në Britani pa status të rregullt qëndrimi. Hetimin e drejttoi detektivi Jordan Gratton, i cili tha se dënimet dhe mbledhja e provave përmes një hetimi të gjatë e bënë të mundur ndërprerjen e veprimtarisë së grupit; autoritetet thanë se dënimet pasqyrojnë seriozitetin e veprave dhe rrezikun për komunitetet lokale.
