Aktivisti Erion Murataj foli për protestën kombëtare më 28 nëntor përpara Kryeministrisë, duke deklaruar se qytetarët do të qëndrojnë në shesh deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, Murataj tha se protesta do të jetë një mobilizim i gjerë qytetar, ku pritet të ketë pjesëmarrje edhe nga diaspora, e cila sipas tij do të grumbullohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ai theksoi se 175 ditët e protestës kanë shërbyer për të konsoliduar lëvizjen dhe për të identifikuar, sipas tij, elementët që kanë tentuar të përçajnë protestuesit.
Murataj tha gjithashtu se në protestat e mëparshme kanë pasur ndikim elementë nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe persona që ai i lidh me pushtetin, duke përmendur edhe emrat e Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit.
Ai shtoi se protesta e 28 nëntorit shënon nisjen e asaj që e cilësoi si betejën përfundimtare politike kundër qeverisë Rama.
“Në datë 28 do të jetë edhe protesta kombëtare. Vendimi është që çdo qytetar zbret në sheshin përpara Kryeministrisë për të mos u kthyer më në shtëpi pa hequr Edi Ramën. Ne nuk kthehemi në shtëpi më pa hequr Edi Ramën. Diaspora do të jetë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. 175 ditë kanë shërbyer që të shosishin çdo element që ka qenë përçarës, në atë protestë. E kemi konstatuar që protesta ka pasur edhe elementë dashakeqës ndaj saj. Nga PS, PD por edhe nga elementë kriminal të pushtetit sic kanë qenë njerëz të Belindës dhe Ergys Agasit, unë kam pasur dhe situatë personale…Por ajo bërthamë në shesh ka vërtetuar që mban flakën ndezur dhe beteja finale nis me 28 dhe mbaron me dorëheqjen e Ramës”, tha ai.
Murataj theksoi gjithashtu se lëvizja protestuese nuk do të tërhiqet nga kërkesat për vendosjen para drejtësisë të Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Gjatë intervistës, ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama se po përpiqet të dobësojë protestën përmes takimeve me persona të përfshirë në të, duke pretenduar se disa prej tyre janë tentuar të blihen.
“Ne shikojmë militant partie të veshur me uniformën e policisë së shtetit. Nuk mund të dalë shefi i Komisariatit t’i bëjë foto qytetarëve. Policia e shtetit ka nxjerrë një listë prej 40 emrat ku është dhe emri im që janë objektiv i strukturave të policisë së shtetit për ti arrestuar para datës 28. Por këto nuk do ti ndalojnë dot. Në shesh do të jetë gjithë Shqipëria. Edi Rama më 28 nëntor do të shikojë se si do ta larojnë me turp dhe do të jetë në koshin e mbeturinave të Shqipërisë…Protesta nuk heq dorë as nga gurëthemeli i saj togfjalëshi Rama në burg dhe Berisha në burg. Një kërkesë në vetvete është edhe ndaj drejtësisë…Edi Rama në protestën paqësore tentoi jo vetëm që të bënte takime, por edhe të blinte njerëz në atë protestë, dhe me disa edhe u takua. Por ka një problem sepse llogaria i del keq. Mund të marrin dikë, disa, por nuk marrin dot protestën. Në takim me Ramën janë patronazhistë, takime me freshistë mund të bëjë patjetër.. Por këta nuk janë përfaqësues të protestës. Të mos harrojnë se protesta ka 5 pika dhe një prej tyre është Rama në burg , Berisha në burg. Dorëheqje e panegociueshme e Edi Ramës”, tha ai.
