Rusia sulmon sërish me raketa Ukrainën, raportohet për viktima civile

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur nga sulmi rus me raketa dhe dronë në qytetin ukrainas të Krivij Rihut.
Në mesin e viktimave është një djalë shtatëvjeçar, i cili u vra derisa po luante me shokët e tij në një kënd lojërash pranë një restoranti. Viktima tjetër është një punonjës 20-vjeçar shëndetësor, pjesë e shërbimit të emergjencës, i cili humbi jetën gjatë operacionit të shpëtimit.
Sipas autoriteteve ukrainase, forcat ruse fillimisht hodhën dy raketa balistike në një lagje banimi në qendër të qytetit. Kur ekipet e shpëtimit dhe personeli mjekësor mbërritën në vendin e ngjarjes, pasuan edhe tri sulme të tjera me dronë Shahed me motorë reaktivë.
Në mesin e 58 të plagosurve janë edhe gjashtë fëmijë, si dhe punonjës shëndetësorë dhe pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit.
Njëzet e tetë persona vazhdojnë të jenë të shtruar në spital, 11 prej tyre në gjendje të rëndë. Pesë pacientë po trajtohen në repartin e kujdesit intensiv.
Sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Rreth 25 ndërtesa banimi, një spital, disa institucione arsimore, një restorant dhe autoambulanca janë dëmtuar.
Përveç dëmeve në infrastrukturë, qyteti është përballur edhe me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, ujë dhe gaz.
Sulmi ndaj Krivij Rihut është një tjetër goditje ndaj zonave të banuara të Ukrainës, ku edhe ekipet e emergjencës janë ekspozuar ndaj sulmeve të njëpasnjëshme gjatë përpjekjeve për të shpëtuar të mbijetuarit.
Kështu, Rusia ka sulmuar Kievin për të dytën ditë radhazi pas takimit trepalësh në Kinë mes presidentëve amerikan, Donald Trump, kinez, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin. /Telegrafi/



































