Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj kompanive amerikane të teknologjisë që planifikojnë të ndërtojnë qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara. Ai deklaroi se synon të ndalojë investime të tilla, duke paralajmëruar vendosjen e një “takse të jashtëzakonshme” për kompanitë që do të zgjedhin të veprojnë jashtë vendit.
“Do ta mbajmë gjithçka në këtë vend”, u shpreh Trump, pa dhënë detaje konkrete mbi mënyrën se si do të funksiononte kjo politikë. Sipas raportimit, disa anëtarë të kabinetit të tij po dëgjonin për herë të parë për këtë ide.
Çështja e qendrave të të dhënave ishte ndër temat kryesore të zgjedhjeve të mesmandatit, të zhvilluara në fillim të nëntorit. Gjatë fushatës, disa kandidatë demokratë premtuan vendosjen e rregullave më të rrepta për ndërtimin e këtyre objekteve.
Ndërkohë, kompani të mëdha të teknologjisë, mes tyre Meta dhe Google, kanë nënshkruar tashmë marrëveshje për ndërtimin e qendrave të të dhënave jashtë SHBA-së. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të zbatohej një ndalim i tillë apo çfarë forme do të merrnin masat e paralajmëruara nga presidenti.
Gjatë një konference për shtyp, pas kthimit nga vizita në Azi, Trump argumentoi se ndërtimi i qendrave jashtë vendit mund t’i japë Kinës një avantazh në këtë sektor.
“Ne nuk do t’i lejojmë kompanitë tona të ndërtojnë qendra të të dhënave jashtë vendit tonë. Sepse Kina do t’i marrë të gjitha dhe ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, deklaroi ai para gazetarëve.
Pavarësisht deklaratave të presidentit, mbetet e paqartë nëse kjo ide do të shndërrohet në një politikë zyrtare të administratës amerikane dhe cilat do të jenë mekanizmat konkretë për zbatimin e saj.

