‘Telefonat e artë’ 300 mijë paundësh po i ndihmojnë shqiptarët që të bëhen ‘mbretërit e kokainës’ në Britani

‘Telefonat e artë’ 300 mijë paundësh po i ndihmojnë shqiptarët që të bëhen ‘mbretërit e kokainës’ në Britani

10:17, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Mike Sullivan dhe Lara Olszowska, THE SUN

Kufijtë e Britanisë, që janë si shoshë, po shfrytëzohen nga bosët e bandave shqiptare për të futur fshehurazi kriminelë në vend, për të shitur drogë, dhe për t’i nxjerrë përsëri jashtë, nëse bien në radarin e policisë.

Bosët e krimit nga ish-shteti komunist po përdorin këtë mënyrë të trafikimit të njerëzve për të fituar miliona paund nga tregu gjithnjë në rritje i drogës në Britani dhe për të marrë kontrollin e tregut fitimprurës të kokainës.

Hetues televizivë të infiltruar kanë depërtuar në grupet kriminale të organizuara shqiptare, duke zbuluar mënyrën se si ato rekrutojnë shpërndarësit e drogës në nivel rruge.

Hetimi tregon se si këto grupe funksionojnë përmes rrjeteve të sofistikuara të shpërndarjes së kokainës dhe tregtojnë telefona celularë që përmbajnë të dhënat e mijëra klientëve, për shuma që arrijnë deri në 300 mijë paund.

Hetuesit zbuluan gjithashtu se trafikantët e njerëzve reklamojnë shërbimet e tyre në TikTok, duke ofruar të transportojnë përmes Kanalit të La Manshit drejt Evropës, për 2.500 paund, shpërndarës shqiptarë droge që kanë probleme me ligjin.

Një dokumentar i Sky News, me titull “The Drug Lords Next Door”, zbulon se si mafia shqiptare është shndërruar në forcën dominuese në tregun e kokainës në Britani.

Dokumentari përfshin një intervistë me një emigrant shqiptar, i cili pranoi se kishte kaluar ilegalisht Kanalin e La Manshit për të punuar në tregtinë e drogës në Britani.

Burri, i njohur me emrin Granit, i tha Sky News se të afërmit e tij kishin paguar udhëtimin drejt Britanisë, me kushtin që ai të punonte për shpërndarësit shqiptarë të drogës.

Ai deklaroi: “Përdorëm një skaf për të shkuar në Britani.”

I pyetur nëse edhe pasagjerët e tjerë në bord kishin ndërmend t’i bashkoheshin tregtisë së drogës, ai u përgjigj: “Po. Shumica prej tyre ishin nisur me këtë ide në mendje.”

Granitit iu sigurua strehim në një hotel për azilkërkuesit, por ai u largua shpejt prej aty dhe nisi të punonte në një fermë kanabisi pranë Mançesterit.

Që atëherë, ai është kthyer në Shqipëri, ku punon në sektorin e ndërtimit. Ai foli në mënyrë anonime, nga frika e hakmarrjes së bandave.

Në vitin 2022, shqiptarët përbënin pothuajse një të tretën e personave që mbërritën në Britani me gomone, duke u bërë grupi më i madh kombëtar që kaloi Kanalin e La Manshit atë vit.

Frank Stewart, nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), paralajmëroi se bandat shqiptare të drogës dhe krimi i organizuar i emigracionit ishin të lidhura ngushtë.

Ai deklaroi: “Ka një numër të panjohur personash që ndodhen këtu ilegalisht.”

Stewart shpjegoi se shpërndarësit shqiptarë të drogës parapëlqenin “të punonin me shqiptarë të cilëve mund t’u besonin”.

Ai shtoi: “Nuk mund t’i ndash ata nga personat e përfshirë në krimin e organizuar të emigracionit. Ekzistojnë grupe kriminale të organizuara shqiptare që merren vetë me trafikimin e njerëzve, duke i futur ilegalisht në Britaninë e Madhe.”

Hetuesit zbuluan se rrugët e paligjshme të kalimit përmes Kanalit të La Manshit funksionojnë edhe në drejtimin e kundërt.

Një llogari në TikTok, që reklamonte shërbimet në gjuhën shqipe, shkruante: “Transportojmë djem që kanë probleme nga Britania drejt Evropës. Udhëtim i sigurt çdo javë.”

Administratori i llogarisë u tha gazetarëve të infiltruar se personat që kishin probleme me policinë britanike mund të transportoheshin me kamionë drejt Shqipërisë, kundrejt pagesës prej 2.500 paundësh për person.

Gjithashtu, u zbuluan qindra reklama në TikTok që ofronin vende pune si shpërndarës droge në qytete të ndryshme të Britanisë.

Gazetarët aplikuan për këto pozicione dhe morën oferta pune për shitjen e kokainës, përfshirë një vend pune me pagesë prej 280 paundësh në ditë në Wigan dhe një tjetër në Exeter, ku ofrohej edhe strehim.

“Është sikur një korporatë e madhe të reklamojë dhe të rekrutojë punonjës”, deklaroi David McKelvey, ish-oficer i policisë Metropolitane, i cili ndihmoi në krijimin e operacioneve të para të infiltrimit kundër bandave shqiptare në Britani.

Dokumentari zbulon gjithashtu se si bandat e kanë revolucionarizuar shpërndarjen e drogës përmes telefonave celularë të posaçëm, që përmbajnë të dhënat e kontaktit të klientëve.

Hetuesit gjetën telefona të tillë që reklamoheshin në rrjetet sociale për shuma deri në 300 mijë paund dhe kontaktuan në mënyrë të fshehtë një shitës shqiptar.

“Telefoni është vetë biznesi. Të gjithë klientët e tu ndodhen në telefon. Në thelb, ti po blen një biznes”, shpjegoi McKelvey.

Hetimi gjurmon ngritjen e këtyre bandave deri te aftësia e tyre për të anashkaluar ndërmjetësit evropianë dhe për të krijuar rrjete të drejtpërdrejta furnizimi me kokainë, që shtrihen deri në Amerikën e Jugut.

“Ne vlerësojmë se grupet kriminale të organizuara shqiptare kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend”, deklaroi Stewart nga Agjencia Kombëtare e Krimit.

Dokumentari, i realizuar nga ekipi i brendshëm i dokumentarëve të Sky në bashkëpunim me Quicksilver Media, heton gjithashtu rastin e Franc Copjas, një ish-banor i zonës Tottenham, të cilin prokurorët shqiptarë e akuzojnë se drejtonte një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Evropë.

Perandoria e tij kriminale u përfshi në një luftë të përgjakshme mes bandave, pasi 50 kilogramë kokainë u zhdukën në Londër.

Kathryn Westmore, drejtoreshë e krimit financiar në organizatën UK Finance, paralajmëroi për pasojat njerëzore të tregut të kokainës, i cili po njeh rritje të madhe në Britani.

Ajo deklaroi: “Ky nuk është një krim pa viktima, ku dikush thjesht blen kokainë për të kaluar një mbrëmje jashtë. Pas atij transaksioni qëndron një histori e tërë, e cila të çon te njerëz të shfrytëzuar, persona të cenueshëm dhe dhunë.”

“E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit ekosistem dhe prek jetën e të gjithëve ne.”

Hetuesi televiziv Chris Matthews deklaroi: “Këta gangsterë publikojnë njoftime hapur në TikTok. Ndoshta nuk thonë drejtpërdrejt se po shesin kokainë, por përdorin disa emoji me flokë bore dhe japin sinjale të tërthorta. E kuptoni vetë, me nënkuptime, shkelje syri e mesazhe të koduara. Të gjithë e dimë se çfarë po bëjnë.”

Chris vijoi: “Personalisht, në kuadër të hetimit të fshehtë, kontaktova përmes TikTok-ut disa llogari që reklamonin mundësi pune për shoferë në qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe. I kontaktova në shqip, sepse nuk të besojnë nëse u shkruan në anglisht.

Unë nuk e flisja gjuhën, ndaj u dërgova vetëm mesazhe shumë të shkurtra, si: ‘A ka ndonjë të re, vëlla?’

Pastaj ata përgjigjeshin dhe thoshin: ‘Po, patjetër, hajde të flasim në telefon.’”

Chris tha: “Në atë moment, sigurisht, u gjenda në një situatë të vështirë, sepse nuk mund ta merrja telefonin dhe të bisedoja me ta. Më duhej dikush që dinte shqip.

Problemi ishte se shumë shqiptarë nuk duan të flasin me mafian shqiptare.

Shqipëria është një vend shumë i vogël; të gjithë i njohin të gjithë. Dhe mafia shqiptare është jashtëzakonisht e rrezikshme. Ka prirje të forta drejt përdorimit të dhunës.

Personit që përfundimisht pranoi të kryente ato telefonata iu desh shumë guxim.

Më pas, ai foli me gangsterët dhe u tha: ‘Dëgjoni, kam një djalë në Britani.

Ai ka qenë pa punë kohët e fundit, por më parë ka punuar në këtë fushë. Tani dëshiron të rikthehet.

Nuk është shqiptar, por është i besueshëm. E dini, ka punuar edhe më parë me mua. Është djalë i mirë.’

Gazetari i infiltruar e dinte se si duhej të vepronte, por ishte anglez.

Kështu që ekzistonte gjithmonë frika se ata mund të mos e pranonin pikërisht sepse nuk ishte shqiptar. Shqiptarët duan të punojnë me shqiptarë të tjerë, sepse gjithçka lidhet me besimin.

Por lidhet edhe me frikën. E dini, ata mund të arrijnë te familjarët e tyre, sepse e dinë se kush janë dhe nga vijnë. Në këtë mënyrë mund t'u bëjnë presion.

Më parë, rekrutimi bëhej kryesisht përmes njohjeve personale. Shkonin në lokalin shqiptar të zonës dhe dikush mund të thoshte: ‘Do të doja një punë’, e më pas gjithçka organizohej në atë mënyrë.

Por tashmë shqiptarët janë zgjeruar aq shumë, sa nuk kanë më shpërndarës të mjaftueshëm.

U duhen gjithnjë e më shumë njerëz, ndaj janë detyruar të përdorin TikTok-un dhe të bëjnë thirrje të hapura për shoferë, duke thënë: ‘Ju lutemi, ju lutemi, na kontaktoni. Kemi vende pune pothuajse në çdo qytet të Britanisë së Madhe.’

I vetmi vend ku nuk shtrihen shumë është Merseyside, sepse bandat e atjeshme janë jashtëzakonisht të dhunshme.”

Chris tha se nuk ka mungesë njerëzish të gatshëm të punojnë për bandat shqiptare, të cilat po shfrytëzojnë vështirësitë e tregut britanik të punës për të rekrutuar anëtarë të rinj.

Ai vijoi: “Të gjithë e dinë se sa e vështirë është të fitosh para në Britani në këtë moment.

Gjithçka është shtrenjtuar. I vetmi produkt që ka pësuar ulje çmimi gjatë 10 viteve të fundit është kokaina.

Ndërkohë, këta persona ofrojnë 280 paund në ditë për një punë si shofer dhe mund të fitosh rreth 2 mijë paund në javë, natyrisht pa paguar asnjë taksë.

Nëse dëshiron të kesh një pagë neto të tillë, duhet të fitosh diçka rreth 140 mijë paund në vit, aq sa fitojnë disa kontabilistë apo mjekë.

Mund të studiosh për shumë vite për t'u bërë mjek ose kontabilist dhe të fitosh një shumë të tillë parash…

Ose mund të bëhesh thjesht anëtari i rangut më të ulët të mafias shqiptare. Të lëvizësh me makinë dhe t'u shpërndash njerëzve kokainë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco