Fshati Kozare, në Bashkinë Kuçovë, është përfshirë nga një situatë alarmante për shkak të grumbullimit të mbeturinave dhe inerteve në pothuajse çdo lagje. Prej javësh, koshat e plehrave nuk pastrohen rregullisht, ndërsa banorët denoncojnë neglizhencën e autoriteteve vendore dhe frikën nga përhapja e epidemive.
Pamjet nga fshati tregojnë një territor të mbuluar nga mbeturinat, të cilat janë grumbulluar jo vetëm pranë koshave, por edhe në kanalet që përshkojnë zonën. Sipas banorëve, një pjesë e këtyre mbetjeve ndodhen aty prej kohësh dhe nuk janë pastruar asnjëherë.
Situata paraqitet shqetësuese edhe në qendër të fshatit, pranë shkollës 9-vjeçare, ku vetëm pak metra larg rrugës kryesore është krijuar një pirg i madh mbeturinash. Kjo gjendje përbën rrezik për shëndetin e nxënësve, të cilët kalojnë çdo ditë pranë plehrave për të shkuar në shkollë.
Banorët shprehen se kanë paraqitur vazhdimisht ankesa pranë Bashkisë Kuçovë, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e problemit.
“Plehrat kanë pushtuar çdo lagje të fshatit Kozare. Koshat mezi pastrohen një apo dy herë në muaj dhe plehrat i sheh kudo. Kjo gjendje është rënduar mjaft dy vitet e fundit dhe ne rrezikohemi nga përhapja e ndonjë epidemie, pasi fshatin e ka pushtuar era e keqe dhe mizat. Jemi ankuar në bashki, po nuk na dëgjon njeri. Ku të vemi tjetër? Askush nuk do t’ia dijë për ne, ankohemi kot”, shprehen banorët.
Përballë kësaj situate, banorët e Kozares kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Kuçovë për pastrimin e territorit, si dhe marrjen e masave afatgjata për menaxhimin e mbetjeve, me qëllim shmangien e rreziqeve për shëndetin publik.
© SYRI.net