40 piktorë lezhjanë përkujtuan në Galerinë e Arteve të këtij qyteti, 50-vjetorin e pikënisjes së kësaj tradite artistike.

Ekspozita kolektive, hapur me këtë rast risolli në vëmendje edhe një herë talentin dhe individualitetin krijues të piktorëve lezhjanë, por edhe historinë, identitetin dhe shpirtin artistik të kësaj zone.

Leonard Lesi, përgjegjës i Galerisë së Arteve, u shpreh se ekspozita organizohet në kuadër të 50-vjetorit të hapjes së galerisë, duke bërë bashkë artistë lezhjanë dhe punimet e tyre artistike.

“Kjo ekspozitë është në kuadër të 50 vjetorit të galerisë së arteve që është hapur për herë të parë në vitin 1976. Në këtë kuadër shumë artistë lezhjane pasqyruan punimet e tyre në peisazh, në portrete etj”,- tha Lesi. 

Ndërsa piktori Pashk Përvathi kujton me emocion ekspozitën e parë të organizuar në Lezhë 50 vite më parë, në një kohë kur sapo kishte përfunduar shkollën e mesme.

“Ngjarja e 50 viteve më parë mua me duket si dje. Ka qene një entuziazëm i jashtzakonshëm për mua. Sapo kisha mbaruar shkollen e mesme dhe për herë të parë organizohej ekspozitë ne lezhë”,- u shpreh piktori.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, vlerësoi kontributin e piktorëve lezhjanë ndër vite, duke garantuar mbështetjen për zhvillimin e artit dhe kulturës në këtë qytet, e cila viteve të fundit ka bërë hapa para, siç tha ai.

“Ne si bashki jemi munduar dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjitha projektet e artit, duke bërë që Lezha të mos konsiderohet si xhep, por si një qytet që nuk ka asgjë mangët as nga Shkodra, as nga Korça, e as nga disa qytete që mendojnë se Lezha duhet të jetë mbrapa.”- tha Ndreu.

Ekspozita u kthye në një takim mes brezave të artistëve, si një garanci për vazhdimësinë e traditës. Njëkohësisht, ishte edhe një homazh për krijuesit që ndër vite kanë pasuruar jetën kulturore dhe artistike të qytetit.