Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë këtë të shtunë. Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Gianni De Gennaro, një prej figurave më të njohura të institucioneve të sigurisë në vend, është gjetur i pajetë në moshën 78-vjeçare.
Sipas raportimeve të mediave italiane, përcjell për Syri-n gazetarja Alba Kepi, De Gennaro i ka dhënë fund jetës me armë zjarri në banesën e tij të pushimit në zonën e Magliano in Toscana. Ai kishte udhëtuar i vetëm drejt kësaj banese, ndërsa familjarët kanë ngritur alarmin pasi nuk arrinin ta kontaktonin prej disa orësh.
Nën hetim për masakrën e Paolo Borsellino-s
Vdekja e ish-zyrtarit të lartë italian vjen në një moment delikat, vetëm pak ditë pasi u bë publike se Prokuroria e Caltanissetta-s e kishte regjistruar atë si person nën hetim në dosjen për masakrën e Via D'Amelio, ku më 1992 u vra gjyqtari anti-mafia Paolo Borsellino dhe pesë anëtarë të eskortës së tij.
De Gennaro dyshohej për devijim të hetimeve lidhur me zhdukjen e të ashtuquajturës "axhenda e kuqe" e Borsellino-s, dokumenti që ndodhej në makinën e gjyqtarit ditën e atentatit dhe që nuk u gjet më pas masakrës.
Në kuadër të hetimeve, prokuroria kishte urdhëruar kontrolle në banesat e tij, ndërsa De Gennaro ishte thirrur për t'u marrë në pyetje më 1 dhjetor.
Karrierë në nivelet më të larta të shtetit italian
Gianni De Gennaro ka mbajtur disa prej posteve më të rëndësishme në institucionet italiane. Ai drejtoi Policinë e Shtetit nga viti 2000 deri në vitin 2007, shërbeu si drejtues i Departamentit të Informacionit për Sigurinë, që mbikëqyr shërbimet sekrete italiane, si dhe ishte nënsekretar i Kryesisë së Këshillit të Ministrave në qeverinë e Mario Montit.
Ai ka mbajtur gjithashtu postin e presidentit të Leonardo-s, një prej kompanive më të mëdha italiane në sektorin e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore.
Reagimet nga qeveria italiane
Lajmi për vdekjen e De Gennaro-s ka sjellë reagime nga përfaqësues të lartë të politikës italiane.
Nënsekretari i Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Alfredo Mantovano, ka shprehur tronditjen për ngjarjen, duke e cilësuar De Gennaro-n një shërbëtor të shtetit me të cilin kishte bashkëpunuar për vite me radhë.
"Jam i tronditur nga vdekja tragjike e një shërbëtori të shtetit, me të cilin kam pasur mundësinë të bashkëpunoj për vite me radhë dhe tek i cili kam admiruar cilësitë, ndjenjën e institucioneve dhe përkushtimin ndaj detyrës. Jam sinqerisht pranë dhimbjes së familjarëve dhe të gjithë atyre, që janë të shumtë, të cilët kanë punuar ndër dekada me Gianni De Gennaro-n për të mirën e Italisë", është shprehur Mantovano.
Edhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka reaguar për vdekjen e ish-kreut të Policisë, duke e cilësuar atë viktimë të një "masakre mediatike dhe gjyqësore".
"I tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të një shërbëtori besnik të shtetit si Gianni De Gennaro, viktimë e një masakre mediatike dhe gjyqësore që një njeri dhe një karrierë si e tija nuk e meritonin. Një mendim për familjen e tij dhe për njerëzit e shumtë që e vlerësonin dhe e deshën", ka deklaruar Salvini.
© SYRI.net