Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Asamblenë e Partisë Socialiste objektivat e qeverisë për programin e strehimit, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2027 parashikohet që 10 mijë familje, kryesisht të reja, të përfitojnë një banesë.
Sipas kreut të qeverisë, objektivi afatgjatë është që deri në vitin 2030 të sigurohet strehimi për 55 mijë familje. Rama theksoi se përmes programit të ri shteti synon të mbështesë kategoritë që kanë nevojë për ndihmë për të siguruar një banesë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe te çështja e ndërtimeve të larta në Tiranë dhe kritikat për numrin e kullave në kryeqytet. Ai argumentoi se ndërtimet e tilla nuk janë ende në një nivel të lartë dhe se ato gjenerojnë të ardhura të rëndësishme për buxhetin e Bashkisë së Tiranës.
Rama shpjegoi se, sipas tij, çdo pallat apo kullë e re kontribuon me 3% për strehimin social, ndërsa 8% shkon në formën e taksës për kryeqytetin. Ai paralajmëroi se heqja e këtyre të ardhurave do të krijonte vështirësi për financimin e nevojave të qytetit.
“Me buxhetin e ri dhe sistemin e ri të strehimit, 10 mijë të parët, familje të reja, do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke filluar nga viti i ardhshëm.
Ne kemi ambicien që deri në 2030, e kemi të shkruar në programin e 2025, të dorëzojmë 55 mijë çelësa, ku shteti u gjendet pranë të gjithëve atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre. Një qytet që ndërton gjithnjë e më shumë si Tirana, por ku gjithnjë e më pak të rinj kanë mundësinë ta shikojnë një shtëpi e më pak ta kenë, ka një problem që nuk zgjidhet duke ndërtuar edhe më shumë, por duke e parë rritjen e Tiranës si një burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme. Këtu kam një pikë që dua ta ndaj. Ne nuk kemi ende faktikisht ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të ketë një pasojë, por nga ato pak kulla, të ardhurat në buxhetin e bashkisë, janë domethënëse. Të gjithë kur shohin një kullë apo pallat të ri që ndërtohet, aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo pallat, ndërkohë që janë 8% taksë për kryeqytetin. Nëse bashkisë Tiranë i heq taksat dhe kontributet, buxheti i bashkisë, bëhet një buxhet që nuk përballon dot nga nevojat që ka qyteti e me radhë”, tha Rama.

