Reshjet e breshërit kanë përfshirë mëngjesin e kësaj të shtune zonën e Xibrit, pranë tunelit të Murrizit, duke mbuluar me kokrriza një pjesë të asfaltit në Rrugën e Arbrit.
Rënia e ndjeshme e temperaturave ka sjellë këto reshje në një lartësi prej rreth 900 metrash mbi nivelin e detit, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve në këtë aks rrugor.
Prania e breshërit në rrugë përbën rrezik për drejtuesit e mjeteve, ndaj të gjithë ata që udhëtojnë në drejtim të Tiranës apo Dibrës duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Krahas vështirësive në trafik, moti i përkeqësuar ka sjellë probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Në disa zona janë raportuar ndërprerje të energjisë, të shkaktuara nga erërat e forta.
Ndërkohë, grupet e OSHEE-së janë angazhuar në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike për abonentët e prekur.

